Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se para thirrjes së seancës konstituive do të duhej drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për siç ka thënë, pasojën juridike të shkeljes së afatit.
“Qysh thirret dhe merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar njëherë Gjykatës Kushtetuese për pasojën juridike të shkeljes së afatit? Sidomos kur seanca do të mbahet mbi një muaj pas skadimit të afatit tepër të qartë për konstituim sipas aktgjykimit të Gjykatës, madje edhe pas afatit shtesë të shpikur si gjoja kushtetues?”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka pyetur nëse kjo i bie që secili afat kushtetues që s’e ka të përcaktuar një pasojë konkrete mund të tejkalohet, “ndërsa akterët të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?”.
“Sepse nëse afatet vlejnë vetëm kur u konvenojnë partive, ato pushojnë së qeni afate kushtetuese dhe shndërrohen në afate politike”, ka shkruar Cakolli.