Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka reaguar pas vendimit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për ta refuzuar kërkesën e qytetarëve për largimin e kryetarit Erden Atiq.

Cakolli ka akuzuar kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut se ka shkelur ligjin dhe aktet e tjera me këtë vendim.

Sipas Cakollit, roli i kryesuesit është vetëm njoftues dhe jo vlerësues i pranueshmërisë së kërkesës, ndërsa vendimi për refuzim tregon një mungesë serioziteti institucional.

“Nuk ka asnjë kompetencë, as sipas ligjit, as sipas udhëzimit administrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimit të saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave tjera,” ka deklaruar Cakolli në rrjetin social Facebook.

Në vazhdim, ai ka shtuar se kjo qasje bllokuese pengon zbatimin e zotimeve të Qeverisë për shtensionim të situatës në veri, duke theksuar se tregon joseriozitet institucional.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e ka pranuar kërkesën e qytetarëve për iniciativën e largimit të kryetarit, Erden Atiq.

Në dokumentin të cilin e ka siguruar Dukagjini, thuhet se kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të M.V, pasi nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023.