Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Laurens van Puyenbroeck është emëruar si avokat kujdestar për Salih Mustafën, i cili është dënuar për krime lufte nga kjo gjykatë.

“Në bazë të nenit 21(5) të Ligjit dhe rregullit 26 të Rregullores, Administratorja informon Panelin e Gjykatës Supreme për caktimin e z. Laurens van Puyenbroeck (‘Z. Van Puyenbroeck’) si avokat kujdestar për z. Salih Mustafa (‘Z. Mustafa)”, thuhet në vendim.

Paneli i Gjykatës së Lartë për ndryshimin e ri në lidhje me përfaqësimin e Mustafës në procedurat e mëtutjeshme gjyqësore, thotë se vendimi për emërimin e avokates Venkateswari Alagendra ka shkelur Ligjin dhe Rregulloren, duke e bërë të pamundshëm përfaqësimin e saj për Salih Mustafën.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kishte theksuar se s’ka efekt ligjor që avokatja Alagendra ta përfaqësojë, për shkak se e njëjta përfaqëson Jakup Krasniqin në shkallën e parë të kësaj gjykate, kështu duke urdhëruar administratoren në mënyrë urgjente ta caktojë një avokat kujdestar për Mustafën.

“Më 25 janar 2024, Paneli i Gjykatës Supreme nxori një vendim në lidhje me konfliktin e interesit të avokates mbrojtëse, znj. Venkateswari Alagendra (‘Znj. Alagendra’), duke deklaruar se vendimi i Sekretarit për të emëruar znj. Alagendra nuk ka efekt juridik dhe duke urdhëruar Sekretarin si çështje urgjente, të caktojë avokatin kujdestar për të përfaqësuar z. Mustafa derisa të zgjidhet emërimi i avokatit”, thuhet në vendim.

Paneli i Gjykatës Supreme ka theksuar se ka nxjerrë vendimin papritur përgjigjen e avokates Alagendra, pasi kanë vlerësuar se çdo përgjigje e saj do të ishte e parëndësishme.

Më 14 dhjetor, Gjykata e Apelit në Speciale ka vendosur për uljen e dënimit për katër vjet, nga 26 në 22 vjet burgim, për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Apeli ka ulur dënimin për Mustafën në disa prej veprave për të cilat akuzohet.

Më 17 janar është caktuar paneli i gjyqtarëve të Supremes për të vendosur lidhur me kërkesën e Salih Mustafës, me të cilën ka kërkuar zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Paneli përbëhej nga gjykatësit Ekaterina Trendafilovën si kryesuese së bashku me dy anëtarët, gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe gjykatësin Daniel Fransen.

Pasi Apeli shpalli aktgjykim dënues prej 22 vjetësh për Mustafën, ky i fundit më 3 janar 2024 kishte kërkuar që ta zëvendësojë avokatin e tij, Julius Von Bone, duke emëruar avokaten Venkateswari Alagendra si avokate të tij të re. Kjo gjë ishte aprovuar nga administratorja.

Mustafa u arrestua nga Specialja më 24 shtator 2020. Trupi gjykues i shkallës së parë së Speciales më 16 dhjetor 2022 e shpalli atë fajtor për krimet e luftës, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe një vrasje të paligjshme duke e dënuar me 26 vjet burgim.