Caktohet seanca e radhës në rastin e ministres Hajdari për aksidentin ku u godit një fëmijë

Në çështjen e kundërvajtjes ndaj ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, ku u godit një fëmijë, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 tetor

Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari

Në çështjen e kundërvajtjes ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, ku u godit e mitura I.B., seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 tetor 2023, që i bie 10 muaj pas seancës së fundit.

Lajmin për caktimin e kësaj seance, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti.

Sipas tij, superekspertiza që ishte caktuar të bëhet, është përcjellë tek të gjitha palët.

Superekspertiza e komunikacionit rrugor ishte caktuar të bëhet në seancën e mbajtur më 8 dhjetor 2022.

Sipas superekspertizës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është përpiluar më 5 shtator 2023, thuhet se këmbësorja ka marrë veprimin e kalimit të rrugës me hapa të nxituar, në mënyrë të papritur.

Tutje, në këtë superekspertizë thuhet se këmbësorja ka marrë veprimin e kalimit të rrugës para automjetit të parkuar (i cili ka zvogëluar fushën e dukshmërisë për drejtuesen e mjetit), pa u siguruar mjaftueshëm se janë plotësuar kushtet e sigurisë për kalimin e rrugës.

Krejt në fund, është konstatuar se “Drejtuesja e automjetit “Ford Fiesta” nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zona urbane ku kërkesat për lëvizje të këmbësorve dhe lëvizje të tjera të pamotorizuara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Ndryshe, në seancën e 12 tetorit 2022, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndihet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura, pasi ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj së pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Ndërkaq, për “Betimi për Drejtësi”, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti kishte thënë se vlerësojnë që ekspertiza e komunikacionit do të përcaktojë pozicionin se ku ka qenë e pandehura Hajdari, e që nga video, sipas tij, shihet se ka qenë në anën e majtë, ndërsa drejtimi i saj i lëvizjes ka qenë krahu i djathtë.

Ai tha se Prokuroria është dashur fillimisht të definojë shpejtësinë e lëvizjes para udhëzimit të rastit në kundërvajtje.

“Po ashtu, edhe nga shkresat e lëndës ka qenë rruga me reshje shiu dhe nga shpejtësia e lëvizjes që shifet në video, ne presim atë që është dashtë normalisht për ta bërë prokuroria që të konstatojë shpejtësinë e lëvizjes dhe përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve atmosferike në rrugë dhe kjo do të definojë se a kemi të bëjmë më kundërvajtje apo kemi të bëjmë me vepër penale. Paraprakisht, mendojmë që prokurori i rastit është dashtë ta sqarojë këtë rrethanë para se të udhëzojë rastin për në Departamentin për Kundërvajtje”, tha avokati Shefqeti./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Të fundit nga rubrika