Politikani serb Nenad Çanak, i ftuar në emisionin “Balkan Talks” me Franko Egro, ka folur për protestat që po zhvillohen në Serbi në përvjetorin e parë të tragjedisë në Novi Sad.
Ai tha se qytetarët serbë nuk i besojnë opozitës dhe se ndikimi rus po pengon çdo përpjekje për orientim të vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Qytetarët nuk i besojnë opozitës, nga ana tjetër nuk duhet nënvlerësuar forca e agjenturës ruse, e cila po minon çdo opsion pro-evropian në Serbi”, tha Çanak.
Sipas tij, Moska synon ta mbajë Serbinë në rolin e një “Bjellorusie të Ballkanit”, duke e përdorur si mjet destabilizues në rajon për të devijuar vëmendjen ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë dhe konfliktet e tjera ku përfshihet Kremlini.
“Krijimi i destabilitetit është roli i Serbisë, pasi është mënyra e vetme që Kremlini të largojë vëmendjen nga luftërat e tij. Kjo është arsyeja pse protestuesit e kanë të vështirë të kthehen në organizatë politike”, shtoi ai.
Çanak theksoi se në këtë kontekst, rruga evropiane e Serbisë mbetet e brishtë dhe se ndikimi rus vazhdon të shfrytëzojë çdo dobësi të sistemit politik serb për të penguar ndryshimet demokratike.