Qetësia në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit në orët e para të 24 shtatorit të 2023 nuk ishte e zakonshme për zyrtarët policor që ishin në detyrë atë ditë.  

Megjithatë kishin mjaftuar pak minuta, që të njëjtit të ballafaqohen me një ndër situatat më të rënda për ta.  

Alban Rashiti është dëshmitari i parë që është dëgjuar në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.  

Rashiti ka treguar se pasi kishin përfunduar ndërrimin teksa po kalonin në Banjskë, kishin parë barrikadën e vendosur mbi urë, për çka kanë tentuan të kontaktojnë me Dhomën komanduese por që radiolidhja nuk kishte punuar.  

Pasi që kishin arritur të kontaktonin me Dhomën komanduese, atyre u ishin bashkuar edhe 6 zyrtarë policor të tjerë, e që më pas kishin filluar shpërthimet dhe të shtënat. 

 
“Momentin që ka ardhur i ndjeri rreshteri Afrim Bunjaku dhe jemi përshëndetur sic e përshkrujta në ato qaste ndoshta jam larguar prej tij 3-4 metra nga ana e majt ka ndodhur nje shpërthim i papritur menjeher kam kuptuar se jam plagosur nga ana e majtee..Në ato momente kemi filluar me kthyer zjarrin posa e kemi lokalizuar nga po vijnë gjuajtjet mirepo në anën e majte time kam vërejtur që tashmë rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë në shpinë pozicioni ishte dhe i gjakosur nga qafa në fytyre dhe nga Mirsadi kemi kërkuar nga Çlirimi ta sjellë veturën aty dhe të e tërhek rreshterin nga ai vend sepse aty kishte gjaujtje gjatë tërë kohës… “, deklaroi Rashiti. 

Pas këtyre gjuajtjeve, zyrtarët policor kishin arritur që ta dëmtonin dritën që ishte e vendosur mbi kamionët.  

 
“Më është kërkuar ti godas ti gjuaj dritat ndriçimit rrugor për të krijuar një erësirë pasi që predhat goditeshin afër trupit tonë, me dhjetra qindra kanë qenë shumë afër, një pozicion shumë të pafavorshëm per neve, edhe kemi arrit me i thyer tri ose katër drita dhe kemi krijuar një erësirë,” tha Rashiti. 

Rashiti, ka shpjeguar se bazuar në gjithë ngjarjen, sulmi ishte i përgatitur deri në detaje e ngjasonte me sulm ushtarak.  

 
“Sipas meje ai ka qenë formacion nuk ka qenë cfarëdo, por ka qenë formacion ushtarak pasi gjithcka ka qenë e koordinuar gjuajtjet kanë qenë me predha të ndryshme dhe shumë afër nesh..” përfundoi Rashiti.  

Me të ishte edhe kolegu i tij, Çlirim Shaqiri i cili rrëfeu për momentet se si e kishin tërhequr trupin e Bunjakut nga vendi ku kishte ndodhur sulmi.  

 
“Albani ka thënë që për shkak të plagëve dhe gjakderdhjes nuk mundet të tërhiqet dhe më ka thënë mua që t’i ndihmojë. Kam dalë te pjesa e kolegëve dhe e kam shtyrë trupin për ta futur në veturë, por s’kemi mundur dhe jam sjellë nga ana tjetër dhe e kam tërhequr trupin në veturë. Në ato momente kam kërkuar për puls, nuk kam mundur të vërej, por për shkak të sulmit s’kemi mundur t’i japim ndihmë tjetër..”, deklaroi Shaqiri 

Të akuzuar në këtë rast janë Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq, ndërkohë që për 42 të tjerët, përfshirë edhe kreun e grupit Milan Radoiçiq, Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për të nisur gjykimi në mungesë dhe vazhdon t’i kërkojë të njëjtit për t’i sjell para drejtësisë. 

🔴LAJMET 19:30 – DËSHTON KONSTITUIMI I KUVENDIT/ PRESIDENTJA CAKTON DATËN E ZGJEDHJEVE