Çeku: 2023-ta vit i zbatimit dhe realizimit të projekteve në sport

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vitin 2023 e ka “pagëzuar” si vit i zbatimit dhe realizimit të projekteve në fushën e sportit.

Ai në një intervistë për KP, ka shpalosur disa nga synimet e tij, për të cilat, pretendon të punojë në vitin 2023.

“Besoj që viti 2023 është vit i zbatimit të reformës në sport. Ligji për sportin, ligji i ri do të na sjellë një frymë tjetër të organizimit institucional për sportin. Ne e kemi thënë sporti prioritet shtetëror, prandaj duhet ta ngrisim në nivel të qeverisë, në nivel të shtetit sportin si prioritet. Një nga skemat është mbështetja e elitarëve që kanë potencial për sukses ndërkombëtar. Ne duhet t’i paraprijmë prej tash, në këtë cikël olimpik të punojmë me disa nga sportistët që i kemi më të dalluar dhe që kanë potencial për rezultate kulmore ndërkombëtare. Do të vazhdojmë me skema e veçanta të tipit shërimi i lëndimeve, bursa për studime në fushat e sportit, skema e mobilitetit për pjesëmarrje në ngjarjet ndërkombëtare edhe nga sportistët edhe nga klubet edhe nga federatat.”, ka thënë ministri i Kulturës.

Zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërtimi i atij të Gjilanit dhe të Mitrovicës, janë vetëm disa nga projektet që ai thotë se do të realizohen gjatë këtij viti.

“Natyrisht do të kemi një fokus të veçantë për infrastrukturën. Disa nga më të rëndësishmet e vitit të ardhshëm, ku do të ketë energji më të madhe të shpenzuar janë: Stadiumi i Gjilanit, stadiumi i Mitrovicës, zgjerimi i kapaciteteve të stadiumit të Prishtinës ‘Fadil Vokrri’. Janë rinovimet e palestrave në Kosovë, Prizreni ka përfunduar, Prishtina është në procedurë, do të kemi edhe të paktën dy palestra të tjera ku do të intervenojmë për t’i konsoliduar kushtet, zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë është pjesë e investimeve tona në vitin 2023, shtegu i parë i atletikës, profesional në Kamenicë. Palestrat e Gjimnastikë, një në Skenderaj, një tjetër në Fushë-Kosovë, shtëpia e shahit në Prishtinë, poligoni i shigjetarisë në Drenas”, shprehet ai.

Madje, punët për zgjerimin e “Fadil Vokrrit”, pritet të fillojnë së shpejti.

“Rritja e kapacitetit të ‘Fadil Vokrrit’ po besoj që është një nevojë sa evidente, aq edhe imediate, duhet të lëvizim shpejt. Tani e kemi një projekt të parë, i cili po vlerësohet dhe nëse është projekti adekuat do të kalojmë menjëherë në fazën e realizimit të punimeve dhe po shikohet modaliteti që punimet të zhvillohen, ndërsa puna dhe aktiviteti të mos ndalet asnjëherë i sportit. Të shohim edhe nëse rregullativat ndërkombëtare na e lejojnë diçka të tillë sepse mund të punohet pjesë-pjesë në ato tribuna ku do të ketë intervenime.”, thekson Çeku.

Fokus të veçantë i pari i MKRS-së thotë se do t’iu kushtohet edhe sportistëve elitarë. Në mesin e tyre është edhe boksierja, Donjeta Sadiku, e cila përkundër se vitin e kaluar i solli Kosovës medalje ndërkombëtare, vazhdon të mos ketë mbështetjen e duhur nga ana e shtetit. Kjo, sipas Çekut, do të ndryshojë këtë vit.

“Ne jemi në komunikim të rregullt me Federatën e Boksit, me Donjetën, me trajneren e Donjetës dhe jemi të gatshëm që ta mbështesim si Donjetën si të tjerët në sporte të tjera që kanë potencial për t’i sjellë rezultate kulmore ndërkombëtare vendit tonë”, thotë ai.

Sipas Çekut, zhvillimi i sportit nëpër shkolla do të jetë një tjetër fushë ku do të punohet fuqishëm gjatë vitit 2023.

Mungesa e zhvillimit të infrastrukturës sportive, sidomos terreneve dhe stadiumeve, ka qenë njëra nga pikat më të diskutuara gjatë vitit 2022.

Ngecjen në këtë aspekt e pranon edhe Çeku, i cili konsideron se kjo ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve.

“Ndonëse në infrastrukturë kemi pasur ngecje dhe telashe që kanë rrjedhur edhe nga inflacioni, pra nga hezitimi i operatorëve për t’i kryer punët për shkak të shtrenjtimit të çmimit të materialit. Në përgjithësi edhe në infrastrukturë gjatë vitit 2022, ka pasur konsolidim të infrastrukturës ekzistuese, ka pasur fokus në përfundimin e projekteve ekzistuese, disa të hapura për shumë vite, tashmë me shumë telashe, dhe fokusi brenda tyre kanë qenë stadiumet e futbollit dhe palestrat e mbyllura të sportit. Qasja jonë ndaj infrastrukturës është kjo, fillimisht fizibiliteti, pra analizë e kujdesshme, pastaj projekti profesional, pastaj ndërtimi dhe në fund edhe menaxhimi i hapësirave kulturore, sepse kjo është një nga të metat e infrastrukturës në vendin tonë”, shtoi Çeku.

Lidhur me procesin e licencimit, i nisur vitin e kaluar, u solli shumë telashe federatave sportive, të cilat u përballën me mungesë të madhe të mjeteve financiare. Çeku ka theksuar se për këtë, është bërë një zgjidhje e përkohshme së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, pasi ligjërisht nuk kanë të drejtë t’i financojnë federatat e palicencuara.

“Në momentin që ka skaduar afati i licencave, ne si Ministri nuk kemi pasur të drejtë ligjore t’i financojmë federatat sepse pa licencim nuk mund të ketë edhe financim. E kemi krijuar një zgjidhje të përkohshme, kemi kërkuar prej federatave listën e të gjitha aktiviteteve të tyre ndërkombëtare dhe e kemi siguruar një financim përmes Komitetit Olimpik për këto federata në mënyrë që përfaqësimi ndërkombëtar të mos ndalet asnjëherë, pra e kemi rregulluar këtë çështje, ndërsa për organizimin e tyre të brendshëm u kemi thënë në momentin që i merrni licencat do t’i merrni tremujorët, edhe treshin, edhe katërshin”, thotë Çeku.

Një rregullore e re nga MKRS-ja po hartohet edhe për kategorizimin e sporteve.

Që nga vitit 2024, këtë proces do ta kryejë Ministria e Sportit në bashkëpunim me KOK-un. Kjo, sipas Çekut, po bëhet për të mos diskriminuar asnjë sport dhe sportist.

“Kategorizimi me udhëzimet e reja do të bëhet në dy shkallë, aplikimi bëhet në Ministri, ne e bëjmë vlerësimin e parë dhe i nxjerrim pikët dhe kategorizimin sipas këtyre aplikacioneve që i sjellin dhe të njëjta pastaj i dorëzohen Komitetit Olimpik për shkallën e dytë të verifikimit, pra i kemi krijuar dy shkallë të verifikimit…dhe pa e konfirmuar komiteti vërtetësinë edhe saktësinë e vlerësimit dhe të kategorizimit e nuk do ta nënshkruajmë asnjë kategorizim. Pra, vetëm po e shtojmë nivelin e verifikimit dhe të kontrollit në mënyrë që të mos e diskriminojmë asnjë sport, asnjë sportist”, shtoi Çeku.

Shija e redaktorit

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Rama e quan “hap historik” votimin Pro anëtarësimit të Kosovës...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar si hap historik votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës(KiE) që i hap rrugë anëtarësimit...

Kurti: Me Kosovën aty, KiE fiton një demokraci të re...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e Këshilli të Evropës ka votuar “për” anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Përmes një...

Të fundit nga rubrika