Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është fyer e kërcënuar nga Serbia në lidhje me veprimin e ekipit të tyre.

“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022”, ka shkruar Çeku.

Ndërsa ka thënë se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajon.

“Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor”, ka vijuar ai.

Ndër të tjera ka shtuar se një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s”, ka shkruar ministri.

Ai beson se Serbia do të marrë dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese.

FFK mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë