Cenimi i sigurisë nuk i ngut deputët për themelimin e inteligjencës ushtarake
Tre muaj më parë, deputetët nisën punën që ta formalizojnë me ligj shërbimin informativ të ushtrisë. Mirëpo, pavarësisht se rrethanat e sigurisë për Kosovën kanë ndryshuar drastikisht javët e fundit, nuk është përshpejtuar puna për ta finalizuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Aktualisht, projektligji gjendet mes dy leximeve në Kuvend, derisa […]
Tre muaj më parë, deputetët nisën punën që ta formalizojnë me ligj shërbimin informativ të ushtrisë.
Mirëpo, pavarësisht se rrethanat e sigurisë për Kosovën kanë ndryshuar drastikisht javët e fundit, nuk është përshpejtuar puna për ta finalizuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Aktualisht, projektligji gjendet mes dy leximeve në Kuvend, derisa komisioni parlamentar pritet të mbajë dëgjim publik, e pastaj të vazhdojë punën për përfshirjen e sugjerimeve shtesë.
Por, Enver Dugolli, nënkryetar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ky proces është i ndjeshëm, andaj merr kohë.
“Ne jemi të kujdesshëm që, meqë po krijojmë një Agjenci e cila supozohet dhe duhet të jetë në Ministrinë e Mbrojtjes, të ketë ato kompetenca dhe detyra të cilat nuk bien ndesh, apo nuk ka dualizëm me agjencitë tjera, sidomos për Agjencinë për Inteligjencë dhe Agjencinë tjetër e cila është për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka thënë ai.
Aktualisht, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes funksionon drejtoria për Inteligjencë, mirëpo veprimet e saj janë të kufizuara.
Shndërrimi i saj në Agjenci përmes miratimit të ligjit, do t’ia shtonte disa kompetenca të rëndësishme në zbulimin e kërcënimeve ndaj vendit.
Megjithëse e pranon se ndryshimi i rrethanave të sigurisë e lejon rishikimin e disa objektivave dhe afate kohore të veprimit të shërbimit informativ, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, thotë se nuk duhet të ketë nguti me miratimin e ligjit.
Propozimet që partia e tij ka bërë në fazën e shqyrtimit të dytë të projektligjit, Berisha thotë se nuk e prekin esencën e Agjencisë, por janë drejtuar në një aspekt të rëndësishëm.
“Kemi bërë disa vërejtje, disa pretendime që të jetë një mekanizëm, një trupë e shëndoshë, mos të ketë rrjedhje të informacionit siç po ndodh tani, qoftë me agresionin që u bë në veri dhe u zunë thuajse në befasi, nuk pati informacione që këto të parandalohen”, ka deklaruar Berisha.
Projektligji parasheh që inteligjenca ushtarake fokus kryesor të ketë hapësirën jashtë vendit në fushën e grumbullimit dhe vlerësimit të informacioneve për ushtritë dhe sistemet mbrojtëse të vendeve të tjera që mund të paraqesin rrezik për Kosovën.
Mirëpo, një sërë kompetencash të rëndësishme, agjentët e kësaj agjencie pritet të kenë edhe brenda vendit.















