Kanë kaluar më shumë se 9 muaj që kur pozita më e lartë në sistemin e drejtësisë, ka mbetur pa udhëheqës. Besim Kelmendi, ishte caktuar ushtrues detyre, i kryeprokurorit të shtetit, ndërkohë që emri i Blerim Isufajt ka mbetur në sirtarët e presidencës dhe ende pret përgjigje për dekretim.

Tash e 1 javë, zyra e Presidentes së Kosovës, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit se kur pritet të marr epilog ky proces.

Mazllum Baraliu, profesor universitar thotë se kjo çështje duhet të trajtohet urgjentisht, për shkak të sistemit të brishtë në drejtësi që ka Kosova.

“Ta lësh institucionin ndër më të rëndësishmit të vendit, me ushtrues detyre më shumë se 9 muaj, ndërkohë që ligji lejon vetëm 6 muaj maksimalisht, ndërkohë që problemet janë jashtëzakonisht të mëdha, kriminaliteti në shtim e sipër, jo në zvogëlim, kjo është me të vërtet e paprecedentë dhe kjo tregon që fatkeqësisht jo vetëm, disa hallka të gjyqësisë siç thuhet hera herës, sillen me papërgjegjshmëri sillen ndaj punës dhe kompetencave”, ka deklaruar Mazllum Baraliu – Profesor universitar.

E Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ende nuk e kuptojnë se pse ky proces është vonuar.
“Duhet theksuar faktin se presidentja e Republikës së Kosovës duhet që të marr një vendim, përkitazi me rekomandimin  Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe vendimmarrjen në këtë rast, nuk mund ta shtyjë pafundësisht , dhe ende nuk e dimë se pse Presidentja nuk ka vendosur deri në këtë kohë”, ka theksuar Gzim Shala – IKD.

Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes telefonit kanë thënë se nuk kanë çfarë të shtojnë, vetëm se ata e kanë propozuar kandidatin tek presidentja dhe janë në pritje të këtij vendimi.