Çështja Hunter Biden, republikanët kërcënojnë Kryeprokurorin Garland me ngritje të akuzave për shkarkim

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy kërcënoi Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland, me nisjen e procedurave që do të synonin ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e tij

Foto: AP

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy kërcënoi Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland, me nisjen e procedurave që do të synonin ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e tij, lidhur me hetimin penal që Departamenti i Drejtësisë kreu ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden.

Në një postim në Twitter të dielën McCarthy shkruante se Prokurori federal David Weiss, i emëruar nga ish-Presidenti Donald Trump për të mbikëqyr hetimin, duhet t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me akuzat e ngritura nga një sinjalizues, se Departamenti i Drejtësisë ndërhyri në këtë rast, me qëllimin për të mbrojtur djalin e Biden.

“Nëse pretendimet e sinjalizuesit janë të vërteta, kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme e një hetimi më të madh me synim shkarkimin e Merrick Garland, nën akuzat për përdorim politik të Departamentit të Drejtësisë”, shkruante  McCarthy.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura javën e kaluar, Hunter Biden ka pranuar të deklarohet fajtor për dy akuza për mospagim të qëllimshëm të taksave mbi të ardhurat.

Garland ka hedhur poshtë pretendimet e sinjalizuesit, një punonjës i agjencisë së taksave, sipas të cilit zoti Weiss, ishte penguar nga Departamenti i Drejtësisë, që të kryente një hetim më agresiv ndaj djalit të presidentit.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, disa të etur për t’u hakmarrë për llogari të zotit Trump, kanë nisur hetime të shumta ndaj familjes dhe administratës Biden, për të kërkuar prova për shkelje të ligjit.

Trump, i cili përballet me hetime të shumta, një aktakuzë penale në nivel shtetëror si dhe aktakuzë federale, kandidon për t’u rizgjedhur në vitin 2024.

Javën e kaluar, dy aleatë të Trump prezantuan dy rezoluta në Dhomën e Përfaqësuesve për të fshirë nga të dhënat e Kongresit, ngritjen e akuzave për shkarkim të ish-Presidentit në vitin 2019, lidhur me dyshimet se ushtroi trysni ndaj qeverisë së Ukrainës për zhvilluar hetime ndaj familjes Biden në këmbim të ndihmës ushtarake për këtë vend. Po kështu republikanët kërkuan të njëjtën gjë lidhur me akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve ndaj ish-presidentit Trump, për sulmin e dhunshëm që mbështetës të tij kryen ndaj Kapitolit, më 6 janar të vitit 2021.

McCarthy, i cili mbështet këto përpjekje, ka kërcënuar me nisje të procedurave për shkarkim edhe një tjetër anëtar të kabinetit Biden, Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas, lidhur me politikat mbi imigracionin.

Javën e kaluar ligjvënësja republikane e linjës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve, Lauren Boebert, u përpoq të nxiste kryerjen e një votim në këtë dhomë, për të ngritje të akuzave për shkarkim të Presidentit Biden, mbi emigracionin dhe sigurinë kufitare.

Një tjetër ligjvënëse e linjës së ashpër, Marjorie Taylor Greene, po ushtron gjithashtu trysni për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Biden, Kryeprokurorit Garland, Sekretarit Mayorkas, drejtorit të FBI-së Christopher Wray dhe një prokurori amerikan që po ndjek penalisht pjesëmarrësit në sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit. /VoA

 

Shija e redaktorit

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Të fundit nga rubrika