Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se në Qeverinë e Kosovës ka kaluar Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, që sipas Mehajt, kjo është shumë e rëndësishme për sigurinë e Kosovës.

“Sot në mbledhjen e 136 të Qeverisë u miratua  Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit”, ka thënë Mehaj.

Më tej ministri ka thënë se puna e këtij Agjencioni do të jetë brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky Agjencion do të ushtrojë aktivitetin e saj brenda dhe jashtë territorit të  Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës  së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë lidhur me kërcënimet apo rreziqet e mundshme për kryerjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor”, ka shkruar në Facebook Mehaj.

Ndër të tjera, Mehaj ka përfunduar duke treguar se “AISM, agjencion që do të amplifikojë mbrojtjen shtetërore dhe sigurinë qytetare!”.