Çfarë bëjnë njerëzit e Vuçiqit, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, në Bosnje e Hercegovinë, dhe si janë të lidhur me Dodikun?
Zvonko Veselinoviq, një biznesmen kontrovers nga Kosova, shpesh është parë në publik së bashku me kryekriminelin Milan Radoiçiq, i cili përshkruhej si “zot i veriut të Kosovës”. Për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, që të dy prej vitit 2021 ndodhen në “listën e zezë” të SHBA-ve. Në dhjetor të vitit 2022, edhe Mbretëria […]
Zvonko Veselinoviq, një biznesmen kontrovers nga Kosova, shpesh është parë në publik së bashku me kryekriminelin Milan Radoiçiq, i cili përshkruhej si “zot i veriut të Kosovës”. Për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, që të dy prej vitit 2021 ndodhen në “listën e zezë” të SHBA-ve. Në dhjetor të vitit 2022, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.
Po ashtu, një listë me emrat e organizatave kriminale serbe dhe të udhëheqësve të tyre u publikua edhe në Kosovë, pavarësisht se kërkohej edhe arrestimi i tyre.
E para në listë ishte Mbrojtja Civile, për të cilën thuhej se ishte formuar nga Goran Rakiq, Igor Simiq, Slavko Simiq, Millosh Peroviq, Nenad Gjuriq dhe Stevan Paviqeviq.
Brigada e Veriut, e krijuar nga Andrej Vuçiq (vëllai i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq), Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Radule Steviq, së bashku me Mbrojtjen Civile, duhet të shpallen organizata terroriste, deklaroi Muja.
Kontrollet e Policisë Kufitare të Bosnjës dhe Hercegovinës
Emri i Veselinoviqit nuk është i panjohur për strukturat e sigurisë dhe inteligjencës në Bosnje dhe Hercegovinë. Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, sipas kontrolleve të “personave me interes të sigurisë” nga Policia Kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës, vitet e fundit kanë hyrë rregullisht në këtë shtet. Me këto të dhëna është e njohur edhe Agjencia e Inteligjencës e Bosnjës (OSA), dhe sipas burimeve jozyrtare, në Prokurorinë e Bosnjës që nga viti i kaluar ndodhet një material voluminoz mbi rolin e Zvonko Veselinoviqit në transportimin e shtetasve rusë dhe serbë nga Serbia në Vrbnicë, në malin Zelengorë.
Sipas shërbimeve të sigurisë së Bosnjës, për këtë transport përdorej rregullisht një helikopter i Veselinoviqit. Sipas gazetarit nga Beogradi, Predrag Popoviq, Veselinoviq bleu një helikopter Sikorsky S-76 në Gjermani, të cilin e lyeu me ngjyrat e flamurit serb dhe e parku në hangarin e aeroportit të Batajnicës. Ky model përdoret edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në Vrbnicë janë ndërtuar disa shtëpi për strehimin e personave me biografi të dyshimtë, përfshirë edhe një ish-oficer të GRU-së. Vizitorë të rregullt ishin edhe anëtarë të organizatave ekstremiste serbe.
Lidhjet me Vuçiqin dhe mbështetja nga autoritetet serbe
Zvonko Veselinoviq konsiderohet mik i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai është shpeshherë i mbrojtur publikisht nga Vuçiq dhe nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq. Bërnabiq ka deklaruar se pa një aktgjykim të qartë, nuk mund të flitet për “grup kriminal” kur përmendet Veselinoviq dhe Radoiçiq.
Sipas Nova.rs, Veselinoviq dhe Radoiçiq janë kumbarë dhe të lidhur me krime të rënda, por asnjëherë nuk janë dënuar. Veselinoviq, i etiketuar nga SHBA si “person famëkeq për korrupsion”, është arrestuar disa herë për trafik droge, vrasje, kontrabandë, falsifikim dhe abuzim me pasuritë natyrore.
Në raportin e BIA-s (Agjencia e Inteligjencës së Serbisë) nga viti 2011, ai përshkruhet si lider i një rrjeti të gjerë kriminal me lidhje në Kosovë, Serbi dhe me kriminelë shqiptarë.
Ka fotografi që tregojnë takime mes Andrej Vuçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit. Ai përmendet gjithashtu si organizator i dhunës kundër KFOR-it në vitin 2011 në Jarinjë dhe Jagnjenicë, bashkë me vëllain e tij Zharko.
Bizneset e Veselinoviqëve në Bosnje dhe Hercegovinë
Sipas Nova.rs, kompania Novi Pazar-put, në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, ka fituar kontrata shtetërore të konsiderueshme, përkundër sanksioneve dhe lidhjeve të tij me krimin. Kjo kompani është pjesë e Inkop, ku Zvonko ka 60% të aksioneve dhe Zharko 40%. Zharko është më aktiv në Bosnje, ku zotërojnë të paktën gjashtë kompani.
Në total, vlera e pasurive të tyre tejkalon 13 milionë euro.
Deputeti i Republikës Srpska, Nebojsha Vukanoviq, ka deklaruar se Veselinoviq emëron dhe shkarkon drejtues në entitetin serb të Bosnjës dhe se bizneset e tij janë të kamufluara përmes ndërmjetës lokalë, si Srđan Kleçanin (“Rufi”), për të përfituar tokë dhe koncesione në Jahorinë dhe Prijedor.
Komunikimet SKY dhe festimi i “miliardës”
Portali malazez Vijesti.me ka raportuar se përmes aplikacionit të koduar “SKY”, anëtarë të klanit Kavaç përmendin Andrej Vuçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin si ata që “i mbajnë fijet në dorë” dhe kanë festuar “miliardën e parë”. Ata përshkruhen si njerëz që fluturojnë pa dokumente dhe shkojnë për gjueti me helikopter bashkë me ish-ministrin e Policisë së RS-së, Dragan Lukaç.
Hyrja e lirë në Bosnje dhe para për njerëzit e Dodikut
Në qershor 2024, gazetari kroat Domagoj Margetiq raportoi se Veselinoviq hyri lirshëm në Bosnje me një xhip me targa të Beogradit, duke sjellë para cash për njerëzit e Milorad Dodikut. Sipas tij, paratë ishin të destinuara për operacione financiare dhe pastrim parash në zonën e Prijedorit, ku përmendet emri i Stefan Usoracit si “oficer lidhës” mes Veselinoviqit dhe autoriteteve të RS-së.















