Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, përfshirë një nga sulmuesit, pas një sulmi të armatosur në Bondi Beach në Australi, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebre gjatë ditës së parë të festës së Hanukkah.
Sipas autoriteteve, 29 persona të tjerë janë dërguar në spital, ndërsa dy policë janë plagosur gjatë ndërhyrjes. Një tjetër sulmues ndodhet në gjendje kritike, ndërsa ngjarja është shpallur zyrtarisht akt terrorist.
Në momentin e sulmit, mbi 1 mijë persona po merrnin pjesë në një aktivitet publik për shënimin e festës hebraike në plazh.
Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, deklaroi se “zemra e Australisë gjakoset sonte për komunitetin hebre”, duke shtuar se dhimbja është e paimagjinueshme për familjet që humbën të dashurit e tyre gjatë një feste të shenjtë.
Ku ndodhi ngjarja?
Bondi Beach ndodhet në lindje të Sidneit, në shtetin e New South Wales, dhe është një nga plazhet më të frekuentuara dhe më të njohura në Australi, si nga vendasit ashtu edhe nga turistët.
Çfarë ndodhi?
Policia e NSW reagoi rreth orës 18:47 me orën lokale, pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë qindra njerëz duke ikur në panik nga zona bregdetare.
Sipas pamjeve të verifikuara nga BBC, dy persona të armatosur po qëllonin nga një urë e vogël që lidhte parkingun e rrugës Campbell Parade me plazhin.
Ngjarja ndodhi shumë pranë vendit ku po mbahej aktiviteti “Chanukah by the Sea 2025”, i organizuar nga qendra hebraike Chabad of Bondi.
Premier Minns vlerësoi veçanërisht një qytetar i cili arriti t’i marrë armën njërit prej sulmuesve, duke e cilësuar atë si “hero të vërtetë”, që sipas tij, ka shpëtuar shumë jetë.
Në video shihet momenti kur ai i afrohet sulmuesit nga pas dhe e neutralizon, ndërsa një tjetër sulmues vazhdon të qëllojë deri në mbërritjen e policisë.
Viktimat dhe të plagosurit
Policia ka konfirmuar se 12 persona kanë vdekur, përfshirë një nga sulmuesit. Një tjetër është në gjendje kritike. 29 persona janë hospitalizuar, ndërsa dy efektivë policie janë plagosur.
Një dëshmitar okular, i identifikuar si Barry, i tha BBC-së se kishte qenë në aktivitet me fëmijët e tij kur dëgjoi të shtënat dhe pa trupa të shtrirë në tokë.
Autoritetet kanë vendosur një zonë të mbyllur sigurie, ndërsa po kontrollohen pajisje shpërthyese artizanale (IED) të gjetura në një automjet të lidhur me njërin nga sulmuesit.
Komisioneri i Policisë së NSW, Mal Lanyon, deklaroi se hetimet janë në vazhdim dhe se “asnjë detaj nuk do të lihet pa u hetuar”, duke bërë thirrje për qetësi dhe duke theksuar se “kjo nuk është kohë për hakmarrje”.
Kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi sulmin si “një akt të keq antisemit dhe terrorist që ka goditur zemrën e kombit”.
Çfarë është Hanukkah?
Hanukkah, e njohur si Festa e Dritave, është një festë hebraike që zgjat tetë ditë dhe përkujton një nga mrekullitë më të rëndësishme në historinë hebreje. Ajo festohet çdo vit në muajt nëntor ose dhjetor.
Ngjarja e sulmit ndodhi pikërisht gjatë ditës së parë të festës./BBC