Në mëngjesin e 15 marsit 2005, derisa eskorta e presidentit Ibrahim Rugova po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendej Zyra e presidentit, Rugova i kishte shpëtuar një atentati.

Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka deklaruar se duhet analizuar çdo detaj i mundshëm që nga nisja e Ish-presidentit, Ibrahim Rugova nga rezidenca e tij në Velani deri në momentin e shpërthimit të fuqishëm.

Morina në “Mendje Kriminale” deklaroi se duhet analizuar dhe të shikohen fotografitë dhe inqizimit të cilat gjenden në EULEX [atë kohë UNMIK].

“Ka pasur çka gjindet në vendin e ngjarjes.  Përpos mjetit shpërthyes, dëshmitarëve, pozita e uljes së Rugovës. Nga momenti kur është nisur nga rezidenca-shtëpia e tij në Velani dhe deri në momentin kur ndodh atentati duhet të analizohet rruga, rrugëtimi, bisedat, bisedat e bashkëpunëtorëve të tij. Lënda ekziston në UNMIK-EULEX- duhet të shikohen fotografitë, inqizimet”, vijoi ai.

Morina theksoi se ka elemente që e vërtetojnë saktësisht atë që ka ndodhur te secili detaj i mundshëm, p.sh çfarë mjeti shpërthyes ka qenë, fuqia shpërthyese-detonimi.

“Ka pasur grupe edhe brenda edhe jashtë Kosovës që i ka interesuar destabilizimi i Kosovës, mos formimi i institucioneve të vendit. Ka qenë pengesë e Serbisë që na pengon vazhdimisht edhe sot, kanë qenë të ushqyera nga shovenizmi serb” deklaroi ai.