Gazetari Jul Kasapi ka folur për aksionin e Policisë së Shqipërisë në kampin e Muxhahedinëve në Durrës, ku sipas tij dyshohet se Muxhahedinët kanë kryer sulme kibernetike ndaj Iranit dhe sipas Kasapit ata me këtë veprim e kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2013 ku do të vinin vetëm për qëllime humanitare në Shqipëri, por jo të kryenin sulme kibernetike nga Shqipëria në Iran.

“Kishte një urdhër të Gjykatës se Posaçme, Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas dyshimeve që brenda këtij kampi kishte grupim i cili mund të bënte sulme kibernetike ndaj shtetit iranian apo dhe ndaj shteteve tjera”, ka thënë ai në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.

Më tutje, ai ka sqaruar se çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e shtetit shqiptar me Muxhahedinët.

“Ata vijnë në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Rikujtojmë se kjo marrëveshje daton prej vitit 2013, por ashtu siç tha dhe ministri Punëve të Brendshme Blendi Çuçi, kjo marrëveshje është prishur pasi [muxhahedinët] nuk po qëndrojnë vetëm për qëllime humanitare”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklaratat politike të Muxhahedinëve kundër shtetit të Iranit nuk i kanë penguar autoritetet shqiptare. Por, sipas gazetarit Kasapi, aktivitetet siç janë sulmet kibernetike ndaj Iranit ose vendeve të tjera janë të patolerueshme për autoritetet shqiptare.