Në mesin e tri kërkesave që Kosovës iu drejtuan nga partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit, ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat, me pjesëmarrjen e serbëve.

Pas kësaj kërkese, i gatshëm për të ofruar ndihmë në organizimin e këtij procesi u shfaq edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Kryesuesi i këtij misioni të OSBE-së, Bujar Osmani, madje ka hartuar një plan prej nëntë pikash që, i cili, sipas tij do të ndihmonte në deeskalimin dhe normalizimin e situatës në veri.

Në të parashihet dorëheqja e katër kryetarëve aktualë si dhe ofrimi i mbështetjes teknike për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Përgatitja e këtij procesi pa ndonjë incident, sipas profesorit Dritëro Arifi, mund të bëhet me një bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Ndërsa për përfshirjen OSBE-së, ai ka një kritikë ndaj Qeverisë.

“Qeveria Kurti i ka lënë hapësirë më interpretu çdokush cka do. Nuk duhet OSBE-ja të organizojë zgjedhje, por vetëm të monitoroj dhe të jetë vëzhgues dhe këtu nuk është problem teknik por politik. Andaj Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme se çfarë dëshiron nga këto zgjedhje”, ka thënë Dritëro Arifi – Profesor.

Për ndihmë teknike nga ana e OSBE-së,  po pajtohet edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, por jo edhe për kompetenca të tjera.

Baraliu ka folur dhe për mundësinë që të përsëritet sërish dhjetori i vitit të kaluar kur ishin djegur zyrat e KKZ-së në veri.

“Varet nga bashkësia ndërkombëtare nëse do të bëjë presionin e duhur ose jo Beogradit, në mënyrë që mos t’i pengoj Listën Serbe dhe qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Nëse kryetarët e komunave shkarkohen nga pozitat mund të ketë zgjedhje të reja atje”, ka deklaruar Baraliu.

Më 23 prill ishin mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, por për shkak të bojkotit të partive serbe, fitues dolën katër kryetarë nga parti shqiptare.

Shkuarja e tyre në zyrat e komunave, u bë shkas që tash e më shumë se një javë në këtë pjesë të vendit të ketë protesta nga banorët serbë.