Mbrojtësi i Spartak Moskës, Christopher Wooh, ka folur me respekt për sulmuesin e Rubin Kazanit, Mirlind Daku, pas përballjes direkte mes dy skuadrave në kampionatin rus.
Wooh e ka cilësuar reprezentuesin shqiptar si një nga sulmuesit më të vështirë për t’u markuar, duke theksuar forcën fizike dhe inteligjencën e tij në lojë.
“Daku është një sulmues shumë i fortë dhe inteligjent. Ai e zotëron mirë topin. Por mendoj se së bashku me Alexander Djiku e përballuam në ndeshjen kundër Rubinit”, ka deklaruar Wooh për “Match TV”.
Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në kampionat, Spartak Moska arriti ta mposhtë Rubin Kazanin me rezultat 2:1, në një duel të luftuar deri në fund.
Sulmuesi i Kosovës ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Rubin Kazanit këtë edicion, duke zhvilluar 28 paraqitje në elitën e futbollit rus. Në këto ndeshje, Daku ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 1 asistim, duke konfirmuar formën e tij të qëndrueshme dhe rëndësinë në repartin ofensiv të skuadrës.