Pasditen e së hënës ka ndodhur një grabitje në një institucion mikrofinanciar në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Një person i maskuar nën kërcënimin e armës ka hyrë në institucionin financiar dhe e ka plaçkitur një shumë të parave.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe Njësitet e Policisë dhe po merren me rastin.

Pronari i këtij institucioni mikrofinanciar, Nexhat Uka, ka deklaruar për KosovaPress se nga grabitja janë dëmtuar në vlerë monetare rreth 330 euro.

“Sot rreth orës 14:30 kemi pas një grabitje, kështu na kanë dëmtuar me një vlerë monetare 330 euro dhe punëtorja ka qenë shumë e frikësuar. Megjithatë, pasi ka shpëtuar pa lëndime është mirë…Nuk e di çfarë kanë bërë policia, por kanë qenë edhe hetuesia dhe kanë marrë gjitha verifikimet dhe mbetet të shihet ditëve në vijim”, tha Uka.

Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e policisë bashkë me hetuesinë.

Portali Dukagjini ka provuar të kontaktojë policinë për të marrë detaje të ngjarjes, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë informacione.

Dyshohet për grabitje të armatosur në një institucion financiar në Prishtinë