Cilat do të jenë efektet e sigurisë, të ekonomisë dhe të gjeopolitikës nëse Serbia anëtarësohet në BRICS?

Deputetët e Lëvizjes Socialiste të Serbisë kanë paraqitur propozim për anëtarësimin e Serbisë në BRICS. Ky hap ka shkaktuar reagime të ndryshme dhe shqetësime rreth ndikimit të kësaj iniciative në rajon

Deputetët e Lëvizjes Socialiste i kanë dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Serbisë propozim për Rezolutë për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

Nënshkrues të propozimit janë deputetët e partisë, kryetar i së cilës deri vonë ishte i sanksionuari i ShBA-së, Aleksandar Vulin, Bojan Torbica dhe Gjorgje Komlenski, të cilët janë partnerë të koalicionit me partinë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa, BRICS është një akronim për një organizatë të pesë ekonomive të mëdha kombëtare në zhvillim; Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Kjo organizatë është themeluar në vitin 2009 dhe synon të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe dialogun politik ndërmjet anëtarëve të tij dhe si kundërpeshë për Perëndimin.

Eksperti i Sigurisë, Bedri Elezi, për Portalin Dukagjini e ka komentuar iniciativën e deputetëve të Lëvizjes Socialiste të Serbisë, duke thënë se “Serbia është duke tentuar në vazhdimësi që të anëtarësohet në struktura që janë kundër rendit dhe rregullit në Ballkan, të cilat janë faktikisht kundër demokracisë”.

Tutje, Elezi ka thënë se Bashkim Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë që të ketë rregull dhe rend në Ballkanin Perëndimor.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

“Por, Serbia po tenton edhe njëherë destabilizimin e rajonit dhe gjithë Evropës duke u bërë pjesë e organizatave apo struktura të cilat do të mbështesin aktivitet e dyshimta të sigurisë dhe shërbimeve sekrete, të cilat do të angazhohen për dëmtimin e sigurisë në Kosovë apo dhe në rajon”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo anëtarësim i Serbisë në organizatat e tjera që janë kundër narracionit të Bashkimit Evropian është cenim i sigurisë në Evropë.

“Bashkimi Evropian duhet të ketë programe konkrete për parandalimin e këtyre iniciativave të Serbisë, e këtë mund ta bëjë duke u ofruar informacione të detajuar qytetarëve serbë në Serbi, në mënyrë që ta kuptojnë se kjo iniciativë është kundër interesave të tyre fillimisht, pastaj kundër sigurisë dhe demokracisë në rajon”, ka shtuar Elezi.

Eksperti i Sigurisë Elezi, ka përfunduar duke thënë se BE-ja dhe ShBA-ja kanë përfunduar duke e lutur Serbinë e që, sipas tij, Serbia po përfiton nga kjo situatë.

Ndërsa, ekonomisti, Egzon Kastrati, këtë hap të Serbisë e ka parë në kundërshtim me politikat ekonomike të Bashkimit Evropian në të cilin Serbia po synon të anëtarësohet.

“Anëtarësimi i Serbisë[në BRICS] është në kundërshtim të plotë me politikat ekonomike të BE-së dhe përtej kësaj, kostot e investimeve të bëra përmes fondeve të BE-së do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në një goditje asimetrike tregtare për bllokun edhe në aspektin gjeopolitik dhe ekonomik”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.

Magjistër i ekonomisë, Egzon Kastrati

Tutje, ai ka thënë se Serbia është një ndër fuqitë ekonomike kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimi i saj në BRICS do ta rriste koston e jetës për Kosovën, pasi Kosova është e varur nga eksporti.

“Anëtarësimi i një vendi si Serbia, e cila realisht mund të cilësohet si një fuqi tregtare në Ballkan, do të krijonte një gjë të madhe dhe konfuzion në Evropë. Një vend që ka afrime për integrim në ekonominë evropiane dhe me një numër të madh të investitorëve të Evropës, të bashkohen në një bllok që është krijuar për t’u kundërvënë de fakto edhe ekonomisë evropiane, do të ngrisë shqetësime. Por, në të njëjtën kohë, do të shkaktojë një goditje për BE-në, sepse miliarda euro të investuara shkojnë huq në kontekstin e ekonomisë”, ka thënë ai.

“Sa i përket Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi i Serbisë do të ketë një ndikim të madh, sidomos të vendet që janë pjesë e CEFTA-së, do të paraqitet një situatë e re tregtare me tendencë të shtrirjes së një blloku të ri në këto vende, duke ndikuar drejtpërdrejt ekonominë (eksport, import) dhe normalisht që do të rritet kosto ekonomike sidomos te Kosova, për shkak të varësisë së madhe nga importi”, ka përfunduar ekonomisti Kastrati.

Gurakuq Kuçi, politolog

Por, për ndikimin gjeopolitik të anëtarësimit eventual të Serbisë në BRICS, ka folur për Portalin Dukagjini edhe njohësi i gjeopolitikës, Gurakuç Kuçi, i cili ka thënë se një iniciativë për anëtarësim në BRICS është marrë edhe nga lideri i Republikës Serbe, Millorad Dodik, që, sipas Kuçit, ky i fundit ka thënë se do të bëjë kërkesë zyrtare Qeverisë Federale të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Kërkesa e Serbisë për anëtarësim në BRICS nuk është diçka e re, më 19 qershor 2023 [presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media pati deklaruar se ‘BRICS ka një të ardhme të mirë dhe duhet të mendohet për gjeneratat e ardhshme të Serbisë’, kjo deklaratë erdhi si materializim dhe pasojë me iniciativën e Aleksandar Vulinit”, ka thënë ai.

Tutje, Kuçi ka shtuar se çdo gjë nga shteti i Serbisë është e mirëmenduar dhe arsyeja është se kjo organizatë do të ketë 40 për qind të GDP-së botërore.

“Organizatës BRICS u ka bërë ftesë edhe 6 vendeve të botës të anëtarësohen në të, në mënyrë që ta marrë 40 për qind të GDP-së së Botës dhe synimin për dedollarizimin e botës dhe krijimin e një Banke të re investive. Përveç që është strategji e Rusisë, është edhe e Kinës”, ka thënë Kuçi.

Më tej, ka thënë se këto vende po tentojnë që ta bëjnë një rreth, i cili i bën rezistencë Perëndimit.

“Serbia është duke shfrytëzuar në mënyrë maksimale këtë qasje, sepse përveç që po [Bashkëpunon] me Kinën dhe Rusinë, është duke mbajtur në kërcënim edhe Perëndimin ‘që ju nëse nuk me lejoni që unë t’i realizojë synimet e mija në Ballkanin Perëndimor serbomëdha unë do të ndryshojë anë përfundimisht’, kjo i shkon në dëm Kosovës në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ai ka thënë se Bashkim Evropian e ka humbur kontrollin mbi gjeopolitikën, dhe këtë e bazon në deklaratën e fundit të presidentit të Francës, Emmanul Macron.

“Macron në fjalimin vjetor që pat, u pa se është në panik, sepse u pa që është komplet me një gjeopolitikë të pakontrolluar, për shkak se kanë humbur pothuajse në mënyrë totale në Afrikë”, ka shtuar ai.

Dhe, kjo situatë, sipas tij, do t’i kushtojë Kosovës, pasi, siç ka theksuar, BE-ja po dëshiron stabilitet në rajon me çdo çmim.

“Bashkim Evropian po e dëshiron një sundimi të stabilitetit në Ballkan me çdo çmim dhe si duket këtë çmim do ta paguajë Kosova”, ka përfunduar ai për Portalin Dukagjini.

Shija e redaktorit

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Mbretërit kalojnë në finale të Ligës së Kampionëve

Mbretërit tashmë kanë kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas një fitore të zjarrtë ndaj Bayernit. Skuadra spanjolle, Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-1,...

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Të fundit nga rubrika