Cilat janë dy fjalitë që dominuan seancat e Speciales me dy dëshmitarët e parë?
Dy dëshmitarët e parë të Prokurorisë Speciale, tashmë kanë filluar t’i japin dëshmitë e tyre. Megjithatë, qytetarët e Kosovës dinë shumë pak, apo fare se çfarë kanë thënë apo si është zhvilluar marrja në pyetje ndaj tyre, për shkak se ato kanë qenë private. Arsyetimi i prokurorisë për mbylljen e seancave është se duhet të […]
Dy dëshmitarët e parë të Prokurorisë Speciale, tashmë kanë filluar t’i japin dëshmitë e tyre. Megjithatë, qytetarët e Kosovës dinë shumë pak, apo fare se çfarë kanë thënë apo si është zhvilluar marrja në pyetje ndaj tyre, për shkak se ato kanë qenë private.
Arsyetimi i prokurorisë për mbylljen e seancave është se duhet të ruhet identiteti i dëshmitarëve.
“Ju lutem ngrihuni në këmbë”, “shkojmë në seancë private” – dy fjalitë që dominuan seancat e speciales me dy dëshmitarët e parë.
Edhe këtë të mërkurë ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarit të dytë të prokurorisë. Ai ishte i paraparë të merrej në pyetje nga avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.
Por, edhe kësaj here qytetarët e Kosovës nuk dëgjuan pothuajse asgjë nga kjo seancë.
Ajo që dihet është se një nga dëshmitarët ka deklaruar se është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari i dytë i ZPS-së ka folur për daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në varrimin e mësuesit Halit Geci, në të cilin varrim tha se kishte marrë pjesë edhe vetë.
Paraprakisht, ai tregoi se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
“Pas vrasjes së familjes Jashari, atëherë i madh e i vogël u kyçën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.
Ai tha se kishte mësuar më pastaj kush kishte qenë nga përfaqësuesit e UÇK-së në atë ceremoni, duke përmendur emrat e Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Daut Haradinaj.
‘‘Pastaj unë kam mësuar se ishte Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi edhe Daut Haradinaj, me sa e kujtoj, Muja ka qenë pa maskë, e të tjerët kanë qenë me maska’’, tha dëshmitari.
Lidhur me Mujë Krasniqin, ai tha se atë e kishte njohur edhe më herët, ndërsa në varrim nuk kishte qenë afër tij, por gjatë asaj dite e kishte kuptuar se kishte qenë ai.
Sipas tij, është bërë thirrje që sa më shumë njerëz t’i bashkëngjiten UÇK-së.
Kurse tha se njëri nga personat me maskë kishte pasur fjalim më të rreptë, duke përmendur më pastaj se ky person kishte qenë Rexhep Selimi.
Ai tha se kishte pasur mesazhe se për pavarësi duhet të fillohej lufta dhe se kjo nuk mund të arrihej me njerëz pacifistë, që sipas tij, ky mesazh ishte kuptuar se kishte qenë për LDK-në, ndonëse nuk ishte përmendur ky emër konkretisht.
Po ashtu, i pyetur nga prokurori James Pace, ai tha se UÇK-ja kishte pasur shtrirje në fshatrat e Malishevës si në qershor, ashtu edhe në korrik të vitit 1998.
Ndërkaq, fillimisht ka folur për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, për të cilat, tha se i ka pasur të njohura përmes gazetave si “Koha Ditore”, “Bujku” dhe televizioni shqiptar.















