Cilat janë raportet me Amerikën pas vendimit të ri për targat?
Pak para se të merrte vendimin e ri për targat, kryeministri Albin Kurti i priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe atë të BE-së. Por, Kurti nuk i priti qëndrimet përfundimtare të tyre për propozimin që ua kishte prezantuar. Ky veprim, sipas analistit Artan Muhaxhiri është moskoordinim me partnerët ndërkombëtar dhe e […]





Pak para se të merrte vendimin e ri për targat, kryeministri Albin Kurti i priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe atë të BE-së.
Por, Kurti nuk i priti qëndrimet përfundimtare të tyre për propozimin që ua kishte prezantuar.
Ky veprim, sipas analistit Artan Muhaxhiri është moskoordinim me partnerët ndërkombëtar dhe e vlerëson të gabuar sjelljen e Kurtit, sidomos në raport me SHBA-në.
“Jo vetëm që nuk po pranohen kërkesat amerikane, por edhe nuk po synohet që të gjendet ndonjë modalitet, ky është një minus i madh për qeverinë e Kosovës dhe do të ketë edhe pasoja politike. Nuk mendoj se ishte një ide e mire e Kryeministrit Kurti që t’i kundërshtoj kërkesat e hapura nga administrata amerikane dhe nga sekretari Blinken, ka pasur një mundësi për një gjetje tjetër me inteligjente ”, ka thënë Artan Muhaxhiri, Opinionist.
Muhaxhiri ka shtuar se për përmirësimin e këtij gabimi kryeministri duhet të punojë shumë.
Pak minuta pas vendimit të Qeverisë erdhi reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në deklaratën e publikuar është thënë se SHBA-ja është e zhgënjyer dhe e shqetësuar që Kosova ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë.
Me qëndrimin e DASH-it e edhe të analistit Muhaxhiri nuk pajtohet profesori Seb Bytyqi.
Ai nuk mendon se vendimi i Qeverisë Kurti ka mundur ta zhgënjej lidershipin e shtetit më të fuqishëm në botë.
“Nëse qëllimi është evitimi i tensionit atëherë nuk mendoj se ka vend për zhgënjim, sa i përket raportit më Kosovën dhe raportit me dialogun me Serbinë duhet të kemi parasysh që ka ekzistuar një traditë që presioni gjithmonë është fokusuar mbi Kosovën pasi me lehtë i ka pranuar me lehtë këto presioni dhe ka qenë dialoguesi me i dobët”, ka deklaruar Seb Bytyqi, Profesor.
Kërkesa e SHBA-së dhe BE-së ka qenë që afati për targat të shtyhet për 10 muaj për t’i dhënë hapësirë dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.




















