Cilat janë sfidat për të drejtuar Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë?
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Emir Sulagiq, njëherësh i mbijetuari i masakrës së Srebrenicës, ka folur për sfidat që ka pasur derisa është bërë kjo qendër. Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si fabrikën e akumulatorëve të automjeteve e kanë shndërruar në Qendër Përkujtimore. “Është e stërmadhe! Vetëm […]
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Emir Sulagiq, njëherësh i mbijetuari i masakrës së Srebrenicës, ka folur për sfidat që ka pasur derisa është bërë kjo qendër.
Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si fabrikën e akumulatorëve të automjeteve e kanë shndërruar në Qendër Përkujtimore.
“Është e stërmadhe! Vetëm varrezat janë mbi 20.000 metra katrorë, si dhe pjesa sekulare, nëse mund ta quaj kështu, 120.000 metra katrorë. Kemi rreth 23.000 metra katrorë hapësira ekspozitash, si dhe diku nja 3-4000 metra katrorë të tjerë në hapësira administrative. Ka qenë faktikisht fabrikë e akumulatorëve të automjeteve, ju e keni vizituar, pra e dini se për çfarë po flas…” – tha Suljagiq.
Ai në këtë intervistë gjithashtu tha se kur u themelua qendra Përkujtimore, në 2004 nuk kishte përkrahje nga qeveria e Bosnje Hercegovinës.
“Është themeluar më 2004, më 2004 një grup i të mbijetuarve kishin hyrë aty, duke filluar punë. Megjithatë, nuk është se kanë pasur ndonjë përkrahje nga qeveria, për një kohë tejet të gjatë janë lënë vetëm, por ka pasur edhe shumë arsye të tjera për këtë punë, që të jem krejt i sinqertë. Në atë kohë, preokupimi, fokusi kryesor, i të gjithë neve në fakt, ka qenë që të gjenim mbetjet mortore të të dashurve tanë, e atëherë që t’i varrosim, e të kemi se ku t’i varrosim. Janë dashur pastaj gati një çerek shekulli, pak më pak, që të arrinim te momenti kur filluam të mendonim për atë se cila është historia që duhet ta tregojmë, cili është narracioni që duhet të krijonim”, – tha tutje ai.
Suljagiq ka thënë se kjo qendër të cilën ai e drejton, nuk do të mund të bëhej më herët.
“Gjeta një institucion që ishte goxha i rrënuar, i rrënuar fizikisht, gjeta një grup njerëzish që ishin që të gjithë të mbijetuar, që ishin goxha të deprimuar, sepse ishin nja 3 persona që mund të prisnin grupe, apo që të paraqisnin Qendrën Memoriale, e që në atë kohë, të flisnin për historitë e tyre personale kryesisht, sepse nuk kishte ndonjë përmbajtje të hartuar. E këtë filluam ta bënim, filluam të krijonim përmbajtje, filluam të mbanim ekspozita, filluam të bënim tregimet gojore, filluam krijimin edhe të një arkive, krejtësisht nga zeroja, filluam të mblidhnim artefakte, filluam të mblidhnim dokumente, dokumente gjyqësore nga gjykatat e Bosnjës e Hercegovinës, por edhe nga ish-Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Tani jemi në një pozitë ku po fillojmë një lloj procesi që në thelb është transferim i të gjitha arkivave që kanë të bëjnë me Bosnjën në këtë Qendër Memoriale” – shtoi ai
“Është përgjegjësi e imja në fakt, si dhe ka qenë përgjegjësi e imja për një kohë të gjatë. Ka qenë përgjegjësi e imja sepse aq shumë njerëz janë vrarë! Pra, po, nganjëherë e kam dëshirën që të ishin njerëz të tjerë që do ta bënin këtë punë, por e di që të tjerët mund të mos jenë gjallë. Pra, më pëlqeu apo jo, qoftë nëse më ritraumatizon apo jo, nëse më duket frustruese apo jo, më duhet të kthehem atje, më është dashur të kthehem aty” – tha ai.















