Cilësohet e jashtëligjshme urdhëresa e kryetarit të Vushtrrisë
Një urdhëresë e lëshuar nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi po cilësohet problematike në këtë komunë. Kryetari ka urdhëruar që të gjithë stafi i komunës që caktohen menaxher të projekteve, kontratave apo marrëveshjeve të ndryshme, nuk mund të heqin dorë nga këto pa pasur arsye bindëse dhe pa u aprovuar kërkesa nga drejtorët. Në të […]
Një urdhëresë e lëshuar nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi po cilësohet problematike në këtë komunë.
Kryetari ka urdhëruar që të gjithë stafi i komunës që caktohen menaxher të projekteve, kontratave apo marrëveshjeve të ndryshme, nuk mund të heqin dorë nga këto pa pasur arsye bindëse dhe pa u aprovuar kërkesa nga drejtorët.
Në të kundërtën, ata do të ballafaqohen me masa disiplinore. Shefi i asamblistëve të LDK-së, po e cilëson këtë vendim të kundërligjshëm.
Për më tepër, ai thotë se punëtorët komunal po refuzojnë të jenë pjesë e këtyre projekteve, për shkak të shkeljeve në dhënien e tenderëve.
“Këtu në Vushtrri është drejtori i disat me radhë që po vije në drejtorinë e Prokurimit Publik dhe kjo si pasojë e punëve të dështuar në atë drejtori dhe si rrjedhojë as stafi nuk pranon të jetë pjesë e menaxhimit të këtyre kontratave e projekteve. Ne kemi pas raste ku në komunën e Vushtrrisë, kanë fituar kontratat blerësit me çmimin më të shtrenjtë dhe këto janë bërë edhe publike, vendimi i fundit i Kryetarit dëshmon më se mirë atë që ne tash e një vit e kemi thënë”, ka shtuar Adnan Lahu- Shef i asamblistëve të LDK-së, Vushtrri.
Probleme me procedura të tenderimit, kanë gjetur edhe monitoruesit e INPO-së.
“Gjatë monitorimit në teren është vërejtur cilësi e dobët e punimeve e zvarritje të tyre. Në dy kontratat e monitoruara asnjëra nuk ka përfunduar në afatin e caktuar por njëra prej tyre është shkëputur tre muaj pasi është dashur të përfundoj kontrata dhe gjatë këtij hulumtimi kemi hasur në kufizim të sigurimit të dokumentacionit nga ana e komunës së Vushtrrisë dhe kërkojmë nga kjo komunë të rrisë transparencën në këtë aspekt”, ka shtuar Leorenta Alija – Monitoruese në INPO.
Por, këto po mohohen nga i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Për televizionin, ai ka treguar edhe arsyet e nxjerrjes së këtij vendimi.
“Nuk është lehtë mi menaxhu projektet edhe mbas orarit të punës pa pagesë e pa pushim dhe ne kemi marr qëndrim që të gjithë zyrtaret që caktohen menaxher të projekteve të paguhen për orët shtesë. Hajde dalim e vizitojmë pastrimin e lumenjve, e dinë edhe opozita që për herë të parë ne e kemi shpëtuar nga vërshimet shkaku i pastrimit që e kemi bërë e krejt kjo pasi po ju rrijm mbi kokë kompanive operuese”, ka theksuar Ferit Idrizi -Kryetari i Vushtrrisë.
Ky urdhër i kryetarit të Vushtrrisë, është lëshuar bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.















