Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për zvarritjen e qëllimshme të procesit të konstituimit të Kuvendit.

Në fjalën e saj në seancën e 50-të, Çitaku se kjo situatë nuk është rezultat i dështimeve politike, por pjesë e një plani për të minuar rendin kushtetues të vendit.

“162 ditë nuk janë pak. Në më pak ditë ka rënë Muri i Berlinit dhe është unifikuar Gjermania… Por për Kurtin, këto ditë nuk janë shumë, sepse për të kjo punë është pjesë e një plani – për përmbysjen e rendit kushtetues”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se këto më shumë se pesë muaj pa institucione po u kushtojnë qytetarëve të zakonshëm, të cilët po përballen me kriza ekonomike dhe sociale.

“162 ditë janë shumë për pensionistët që çdo muaj zgjedhin mes ushqimit dhe barnave, për mësimdhënësit që ndihen të përbuzur, për mjekët që u mungojnë barnat esenciale, për punëtorët e sektorit privat që po rrezikojnë vendet e punës, dhe për ndërmarrësit që po mbyllin bizneset për shkak të çmimit të energjisë”, shtoi ajo.

Çitaku nuk kurseu as fjalët e rënda ndaj figurës politike të Kurtit, duke e cilësuar atë si “politikanin e fundit të një gjenerate të vjetër që do të hyjë në histori me turp”.

“Kurti si politikani i fundit i gjeneratës së vjetër do të hyjë në histori sepse këtë e ka ëndërruar gjithmonë, por do të hyjë me turp ashtu siç ka qenë e gjitha karriera e tij politike, pa asnjë sukses vetëm me përçarje dhe përbaltje. Historia nuk do të harrojë Albin por nuk do të kujtojë me nder”, deklaroi Çitaku.