Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i është drejtuar me një letër kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar që sot, më 16 gusht, në orën 11:00, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.
Çitaku ka rikujtuar se moskonstituimi i Kuvendit, sipas saj, ka krijuar një situatë të rëndë sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në letrën drejtuar Deharit, ajo ka theksuar se, bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, edhe në rast të tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën e PDK-së.
Çitaku ka kërkuar nga Dehari që të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet më tej në letër.
PDK-ja ka kërkuar kështu që seanca konstituive të vazhdojë sot në orën 11:00.