Çitaku kritikon Kurtin: Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e kritikuar për sulmet e tij ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një postim të bërë Faecebook, Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit të lërë pas “mllefin dhe urrejtjen” dhe të përqendrohet në përmirësimin e qeverisjes së vendit. “Albin, E […]
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e kritikuar për sulmet e tij ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në një postim të bërë Faecebook, Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit të lërë pas “mllefin dhe urrejtjen” dhe të përqendrohet në përmirësimin e qeverisjes së vendit.
“Albin,
E fitove një mandat të fuqishëm që askush tjetër nuk e ka pasur në historinë e Kosovës. Një mandat që nuk të kërkonte as kompromise me partnerë të koalicionit, as zmbrapsje përballë presioneve politike. Por, përkundër kësaj, qeverisja jote ka qenë pa rezultate”, ka thënë Çitaku.
Ajo kritikoi Kurtin për përmendjen e Thaçit në një intervistë të dhënë së fundmi, duke theksuar se pavarësia dhe ushtria e Kosovës janë të lidhura ngushtë me emrin e ish-presidentit.
Sipas saj, Kurti ka qenë një “vrojtues destruktiv ose pasiv” gjatë fazave të rëndësishme të transformimit të Kosovës.
“Mbrëmë zgjodhe sërish të sulmosh Hashim Thaçin. Keqardhje për ty. Historia nuk rishkruhet as me fjalë, as me urrejtje. Ushtria e Kosovës e ka gjenezën në UÇK-në, TMK-në dhe FSK-në. Në të gjitha këto faza të transformimit, ti ke qenë një vrojtues destruktiv ose pasiv. Pavarësia e Kosovës është e lidhur pashmangshëm me Hashim Thaçin, me të gjitha sukseset dhe sfidat që e shoqëruan atë proces”, ka shkruar Çitaku.
Në reagimin e saj, ajo gjithashtu vuri në dukje dështimet e qeverisë Kurti në sigurimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe NATO.
“Por ti, Albin, çfarë ke bërë?
Pse nuk shkrove historinë tënde? Pse nuk e bëre Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës, të NATO-s, apo të organizatave të tjera ndërkombëtare që i sigurojnë vendit përparim dhe stabilitet?
Sot, Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar. Populli nuk të zgjodhi për të ndarë fajtorë apo për të ushqyer urrejtje, por për të dhënë zgjidhje dhe për të ndërtuar të ardhmen.
Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, Albin. Kjo të bën mirë – dhe do t’i bëjë mirë edhe Kosovës”, ka shtuar Çitaku.















