Çitaku kritikon pushtetin: Për ligjet e tjera procedura të përshpejtuara, për mbrojtjen e UÇK-së zvarritje

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar mënyrën se si po shqyrtohen projektligjet në komisionet e Kuvendit, duke thënë se një numër i madh i tyre, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, po procedohen me nxitim.

Çitaku ka thënë se këto projektligje po shqyrtohen, sipas saj, pa analizë të duhur, debat substancial dhe dëgjime publike.

Çitaku është ndalur edhe te projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të cilin ka pretenduar se po mbahet pa u proceduar nga Ministria e Drejtësisë, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”.

“Sot, në komisionet e Kuvendit po përshpejtohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh të Qeverisë, shumë prej tyre për sektorin e drejtësisë. Pa analizën e duhur, pa debat substancial dhe pa dëgjime publike.

Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit.
Ndërkohë, projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbahet në sirtarin e ministres, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”.
Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje!
Donikë, Albin dhe zyrtarë përgjegjës: mos e pengoni këtë projektligj. Procedojeni menjëherë në Kuvend.
Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh.
Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë!”, ka shkruar Çitaku.

Të fundit nga rubrika