Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti ka bërë kalkulime të gabuara në raport me shtetin serb.

Në një intervistë për KP, Çitaku ka thënë se nuk ka diçka konkrete nga përfitimet e mundshme të Kosovës nga dakordimi i Brukselit. Ajo vlerëson se neni shtatë i propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është më shumë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe. I njëjti, sipas saj, i jep autonomi serbëve të Kosovës dhe jo vetëm.

“Neni shtatë e hap pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari, pako mbi të cilin është ndërtuar rendi kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Kjo është e para, flet për një autonomi për serbët e Kosovës dhe e dyta, elementi i ri ishte çështja e Kishës Ortodokse Serbe. Ne besojmë që kjo çështje është rregulluar shumë mirë me pakon e presidentit Ahtisari dhe infrastrukturën ligjore ekzistuese në Kosovë. Tendencat janë që të krijohet një etnitet të ngjashëm me atë që e kemi parë në Mal të Zi, kjo është e qartë se kryeministri është dakorudar për këtë çështje. Pika e 11 flet për aneksin e implementimit dhe është e qartë se palët janë pajtuar edhe për këtë çështje…Autonomia e tejkalon Asociacionin, nuk ka fije dyshimi. Për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin ekziston një nen i veçantë në kuadër të dokumentit”, ka thënë Çitaku.

Kjo e fundit ka vlerësuar se është kryeministri Kurti ai i cili ka degraduar dialogun me Serbinë.

“Tash do të kemi një status-qou të re, kryeministri ka bërë një kalkulim të gabuar, ka menduar se duke rihapur marrëveshjet e vjetra do të ndryshojë formatin e dialogut dhe rezultatin. Por, fatkeqësisht ai vetëm e ka degraduar atë dhe ne sot kemi një marrëveshje që do të prodhojë një status qou të re, mirëpo nuk e përmbyll procesin e dialogut me Serbinë”, shton ajo.

Çitaku ka thënë se s’ka asnjë element në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen de facto, e aq më pak atë de jure.

“Në këtë formë de-facto Serbia e ka njohur Kosovën që nga vitit 1999, Serbia nuk qeverisë me Kosovës. Serbia ka pranuar dokumentet tona të udhëtimit, po harroni se ne kemi një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit. S’ka kufi me një shtet të cilin e konsideron kushtimisht pjesë tënden. Nuk ka element të ri në këtë marrëveshje që do të nënkuptonte njohje de-jure apo de-facto. E vetmja gjë e re është se dy palët janë zotuar se dialogu të vazhdojë, e sa do të vazhdojë dhe sa vite do t’i humbas Kosova në këtë proces mbetet të shihet”, është shprehur Çitaku.

Ndërkaq, ajo ka vënë në mëdyshje edhe përfitimet e mundshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare pas kësaj ujdie, duke thënë se nuk kishte asgjë konkrete në atë draft-marrëveshje të dakorduar për përfitimet e mundshme të Kosovës në procesin e dialogut.

Ndonëse marrëveshjet për Asocacionin u arritën në vitet 2013 dhe 2015, ishte Gjykata Kushtetuese, ajo e cila tha se marrëveshja e fundit nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një Asociacionin njëetnik, i cili, sipas saj, do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.