Çitaku: Kurti dëshiron ta bëjë Kosovën të pajetueshme, por kjo mendësi s’kalon

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, teksa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për "moskompromisin" me sindikalistët, ka thënë se i njëjti po dëshiron që ta bëjë Kosovën të pajetueshme

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për mosplotësimin e kërkesave sindikale.

Java e pestë në Kosovë i gjen ende në grevë mësimdhënësit dhe mijëra nxënës jashtë shkollave.

Kjo për shkak të moskompromisit nga asnjëra palë, qoftë nga Qeveria, qoftë edhe nga sindikalistët e arsimit të cilët nuk heqin dorë pa u plotësuar plotësisht kërkesat e tyre.

Për këtë ka reaguar Çitaku, e cila përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se kryeministri Kurti po synon ta bëjë Kosovën “të pajetueshme”.

Por sipas saj, “kjo mendësi”, nuk kalon.

“28 shtator 2022. Fëmijët janë ende në shtëpi. Shkollat e mbyllura. E kryeministri me kryeneçësi dhe indiferencë vazhdon t’i përbuzë mësueset dhe mësuesit tanë. Po synon ta përçajë deri në palcë shoqërinë. Në fakt, po synon ta ndërtojë “shoqërinë e re”. Ai do ta bëjë Kosovën të pajetueshme për secilën dhe secilin njeri që nuk pajtohet me të”, ka shkruar Çitaku.

Siç theksoi Çitaku, kreu i qeverisë po synon të krijojë një Republikë të tretë, ku do t’i nënshtroheshin sindikatat, mediat, bizneset.

“Kjo është Republika e Tretë që e synon Kurti, me sindikata të reja, të cilat i nënshtrohen atij, me media të reja, të cilat i nënshtrohen atij, me biznese të reja, të cilat i nënshtrohen atij”, shtoi ajo.

Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.

Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.

Çka parasheh Projektligji për Pagat?

Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.

Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.

Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.

Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.

Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.

Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.

Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.

Çfarë thotë Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga ana e Qeverisë tashmë janë bërë hapat për ta tejkaluar grevën në arsim. Por sipas tij, shantazhi nuk po pushon.

Ai në një konferencë për media nga Samiti Digjital, ka bërë thirrje që zgjidhja më e mirë është pranimi i ofertës dhe kompensimit prej 50 eurosh.

“Kompensimi prej 50 eurosh bëhet për t’u përballur me inflacionin dhe jo si zëvendësim i ligjit të pagave që pritet së shpejti të miratohet në Kuvend në të dy leximet. Zgjidhja më e mirë, më e drejtë është edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim e nxënësit të shkojnë të mësojnë. Ne kemi bërë shumë hapa, por ajo që nuk kemi parë është pushimi i shantazhit, ‘o kaq, o nuk shkojmë në punë”, ka thënë ai.

Kurti theksoi se kompensimi prej 50 eurosh paraqet rritje më të madhe se rritja e vjetshme ekonomike.

Çfarë thonë nga SBASHK-u?

Kryetari i SBASHKU-t, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e përgjithshme e thirrur nga BSPK, është për faj të Qeverisë.

Jasharaj në Komisionin për Arsim, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po tregon interesim për dialog.

“Qeveria me barrikadimin që po bën, injorancën totale ndaj sindikatave, vlerësojmë se ka tendencë ta ngulfatë e të shuajë sindikatat dhe zërin sindikal”, ka thënë Jasharaj.

“Fatkeqësisht, me qëllime degraduese për mësuesin, është vënë në pah të parë diçka që nuk ka qenë kërkesa jonë fillestare, ajo 100 euro. Aq është dramatizuar dhe deformuar kërkesa legjitime që rrodhi nga procesi”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.

Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.

Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.





Shija e redaktorit

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Osmani: Historia e nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbi historinë e nënës Ferdonije Çerkezi, e cila ka humbur katër djemtë e saj dhe bashkëshortin gjatë...

Të fundit nga rubrika