Çitaku: Kurti po i shërben Prokurorisë së Hagës duke sulmuar Thaçin e Veselin
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Sipas saj, Kurti, me vetëdije të plotë, po i shërben Prokurorisë së Hagës përmes sulmeve të drejtpërdrejta ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së. “Ka pasur guximin të thotë se ne i […]
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Sipas saj, Kurti, me vetëdije të plotë, po i shërben Prokurorisë së Hagës përmes sulmeve të drejtpërdrejta ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së.
“Ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë instruksione. Kjo nuk është as politikë, as rastësi – është një qëllim i qartë dhe vazhdimësi e një fushate përbaltëse ndaj atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë Çitaku në një reagim në Facebook.
Ajo e akuzoi Kurtin për mungesë miqësie dhe autoritarizëm, duke thënë se në partinë që ai udhëheq nuk ka vend për mendime ndryshe apo debat, për dallim nga PDK-ja ku, sipas saj, ekziston demokracia e brendshme dhe diskutimi i lirë.
“Instruksione, Albin, jep ti, në partinë tënde që nuk e udhëheq, por e sundon”, shtoi ajo.
Në fund, Çitaku ritheksoi se PDK ka një kryetar legjitim, Memli Krasniqin, dhe e akuzoi Kurtin se nuk ka rezultate për të cilat mund të flasë, përveç “qarjeve e vajtimeve”.















