Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një bllokadë të thellë politike.

“Asgjë të re për të thënë. Kosova vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të kryeneçësisë së Vetëvendosjes. Dështuam sërish, vendi është në krizë,” u shpreh ajo para mediave.

Sipas saj, seanca e sotme ishte e manipuluar për t’u përshtatur me kërkesat individuale të disa deputetëve, dhe jo një përpjekje e vërtetë për të çuar përpara një proces kushtetues që u shërben qytetarëve.

“Sot pat përpjekeje dhe u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve dhe nuk po arrijnë që të bëjnë marrëveshje për të mirën e qytetarëve,” tha Çitaku.

Ajo paralajmëroi se mungesa e vullnetit për të arritur një zgjidhje konsensuale vetëm sa do ta thellojë krizën dhe do të vonojë më tej funksionalizimin e institucioneve.