Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar procesin e zhvilluar të hënën mbrëma për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si shkelje të Kushtetutës.
Në një reagim në Facebook, Çitaku ka thënë se fakti që po tentohet të zgjidhet kreu i shtetit përmes një procesi që, sipas saj, shkel Kushtetutën, tregon për mentalitetin e kryeministrit Albin Kurti.
“Vetë ideja që me vetëdije i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kritikuar edhe kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, duke thënë se është për keqardhje që ato kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi.
Ajo ka theksuar se Kosova është ndërtuar me shumë sakrificë dhe, sipas saj, nuk duhet lejuar rrënimi i institucioneve.
“Është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetues”.
“Po, ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur liri, pavarësi dhe institucione. Dhe nuk do të lejojmë përmbysjen dhe rrënimin e gjithçkaje që është ndërtuar me aq shumë mund. Zullumi këputet prej së trashi, thotë populli”, ka shkruar tutje ajo.