Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar takimin që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, po zhvillon me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, partnerët e koalicionit dhe përfaqësuesit e komuniteteve.
Haxhiu i ka ftuar liderët e të gjitha partive politike në një takim konsultativ për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Megjithatë, ftesën e saj e kanë refuzuar PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se takimi i Haxhiut është duke u zhvilluar vetëm me përfaqësues të partive që janë në pushtet dhe të komuniteteve.
Ajo e ka cilësuar këtë si “fotografinë e një partie politike të papërgjegjshme”, duke akuzuar pushtetin se po i mban institucionet e bllokuara dhe po e përdor pushtetin për interesa politike.
“Vendin e keni në Kuvend, aty ku duhet ta materializoni vullnetin e qytetarëve dhe ta konstituoni Kuvendin. Ju presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!”, ka shkruar Çitaku.
Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e seancës konstituive.
