Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi u dënuan disa kërcënueses të rrjeteve sociale ndaj deputeteve të Kosovës që janë në opozitë.

Më tutje, ajo ka thënë se “në të trija rastet, të pandehurit kërkuan falje, deklaruan se janë penduar, se nuk e kanë menduar atë që e kanë thënë”.

“Këto ditë ishim dëshmitarë të disa proceseve në Gjykata ku në cilësinë e të akuzuarve ishin persona që kishin kërcënuar me jetë Deputeten [Ganimete] Musliu, ish-kryeministrin [Avdullah] Hoti dhe Deputeten [Ariana] Musliu-Shoshi”, ka shtuar Çitaku.

“Po dua të shpresoj që dënimet e ditëve të fundit për rastet e lartëcekura të frenojnë sadopak vrullin e llumit që po del në sipërfaqe çdo ditë”, ka theksuar Çitaku.

Tutje, ajo ka thënë se ka grupe të organizuara në rrjete sociale që i kanë bërë gjyqin publik.

“Llumi dhe helmi i madh që çdo ditë shpërfaqet në rrjetet sociale është produkt i polarizimit ekstrem që me vite është ushqyer në shoqërinë tonë. Grupe të organizuara në rrjete sociale i kanë bërë gjyqin publik, kanë përbaltur, denigruar dhe kërcënuar secilin që ka guxuar të mendojë ndryshe nga lideri suprem”.

“Me shpërfillje totale për jetën e tjetrit, me një lehtësi të frikshme bëhen thirrje për vrasje, dhunë, linçim. Fatkeqësisht, këto mësymje primitive nëpër rrjete sociale janë dominante edhe sot”, ka përfunduar ajo.