Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas konferencës së saj ku e cilësoi si cenim të rendit kushtetues gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban.

Çitaku i ka kujtuar Haxhiut se ajo është në pushtet prej disa vitesh, por se reagimi për gjyqtarin Laban erdhi vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca konstituive e Kuvendit të mos mbahej sipas dëshirave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja theksoi se kryesuesi i seancës konstituive ka shkelur Kushtetutën, gjë që është vërtetuar unanimisht nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej tyre të votuar nga vetë VV-ja.

Ajo paralajmëroi se çdo përpjekje për të delegjitimuar Gjykatën Kushtetuese është një thirrje për anarki dhe kritikoi Haxhiun për heshtjen e gjatë gjatë viteve kur ka qenë në pushtet.

Çitaku nënvizoi se siguria kombëtare nuk mbrohet me fjalë në konferenca për shtyp, por me veprime konkrete, duke i konsideruar si “të mjerueshëm dhe të rrezikshëm”.