Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk e pranojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pavarësisht se, sipas saj, këtë po e kërkojnë edhe aleatët historikë të Hashim Thaçit.

“Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo.Ne nuk e pranojmë këtë vendim”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi për të nuk janë thjesht persona me të cilët aleatët ndërkombëtarë kanë bashkëpunuar në një periudhë të caktuar.

“Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do ta pranojë aktgjykimin dhe se do të vazhdojë ta kundërshtojë atë.

“Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri”, ka përfunduar Çitaku.