Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur  pas dështimit të seancës së 33-të konstituive, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sjellje të papërgjegjshme ndaj institucioneve dhe zhvillimeve ekonomike në vend.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për biznese të pronarëve, por për ekonominë e vendit dhe mbi 140 mijë punëtorë. Me taksat që paguajnë ata, paguhen edhe pagat tona. Sjellja e Vetëvendosjes është tërësisht e papërgjegjshme”,  tha Çitaku.

Ajo theksoi se ky subjekt politik po sulmon çdo mendim ndryshe dhe po përpiqet ta rrënojë sistematikisht çdo mekanizëm institucional, nga mediat, bizneset e deri te gjyqësori.

“Është një përpjekje e vazhdueshme për të shkatërruar çdo institucion të këtij vendi. Është për të ardhur keq”,  tha Çitaku.

Ndryshe, Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të. 

Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. 

Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin e Komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim.

Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00.