Çka do të sjellë nesër “pesëshja e madhe” në Prishtinë? Kurti nuk e di
Kjo pesëshe diplomatësh do të aterojë jo më vonë se këtë të shtunë në Kosovë. Nesër, fillimisht në Prishtinë, e më pas në Beograd, do të mbërrijë grupi i të dërguarve perëndimorë, që duket se do vijnë me qëllime të qarta. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë me dije për Dukagjinin qëllimin e vizitave, […]
Kjo pesëshe diplomatësh do të aterojë jo më vonë se këtë të shtunë në Kosovë.
Nesër, fillimisht në Prishtinë, e më pas në Beograd, do të mbërrijë grupi i të dërguarve perëndimorë, që duket se do vijnë me qëllime të qarta.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë me dije për Dukagjinin qëllimin e vizitave, si dhe pritjet nga to.
“Qëllimi i vizitës është të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe në deeskalimin pas zhvillimeve të fundit. BE-ja, shtetet anëtare të saj dhe ShBA-ja mbeten mbështetës të fuqishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Ne kemi pritshmëri të qarta që palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe do të përmbushin detyrimet e tyre pa vonesa apo kushte”, ka deklaruar Peter Stano Zëdhënës i BE-së.
Paraprakisht, informata rreth kërkesave të ndërkombëtarëve në këtë takim nuk ka as Qeveria.
Të paktën kështu ka thënë sot kryeministri Albin Kurti, i cili u kujdes ta theksojë që për Kosovën, siguria është prioritet para normalizimit të marrëdhënieve.
“Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policën, ushtër e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq”, ka thënë Albin Kurti Kryeministër i Kosovës.
Ngjarjet e fundit në veri kanë qenë vetëdijesim për ndërkombëtarët karshi qasjes së tyre me Serbinë, po vlerëson profesori Arben Fetoshi. Ai pret që në vizitën e tyre të jenë kërkues për hapa të shpejt normalizimi.
“Të mos lejohet një përshkallëzim i mëtejshëm i situatës, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e veriut, pas 24 shtatorit dhe jam i bindur që përfaqësuesja evropiano-amerikane, që vjen nesër në Prishtinë e Beograd do të jetë më e qartë më konkrete dhe më këmbëngulëse që palët të lëvizin më shpejt në kuptim të de përshkallëzimit, dhe në kuptim të përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Ankesi i Ohrit”, ka theksuar Arben Fetoshi Profesor.
Ndërmjetësuesi i dialogut Miroslav Lajçak, kësaj radhe do të jetë i shoqëruar edhe nga Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit të Francës, Jens Plotner këshilltar i kancelarit të Gjermanisë dhe nga Francesco Talo, këshilltar i kryeministres italiane.
Si zakonisht, krah Lajçakut do të jetë edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
BE-ja vazhdon ti mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, dje Parlamenti Evropian ka kërkuar që ato të hiqen dhe ndëshkime t’i vendosen Serbisë nëse dëshmohet lidhja direkte e saj me sulmin terrorist në Banjskë.















