Ish-presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli, ka reaguar për takimin e 27 shkurtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku pritet që të nënshkruhet propozimi evropian, që është një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ish-presidenti ka thënë se Kosova nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, do të marrë përsipër themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Nesër me 27 shkurt, me shumë gjasa do të nënshkruhet dokumenti i famshëm, i njohur sot si dokumenti evropian, ku Kosova do të marrë përsipër obligimin e pashmangshëm për të jetësuar “Zajednicën” në këmbim të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Me fjalë të tjera, situata do të dalë si një vit më parë; Nga kjo marrëveshje do të përfitojë Serbia, por edhe Kosova, dikush më shumë e dikush më pak. Serbia në mënyrë të pashmangshme fiton “Zajednicën” dhe do të sigurojë rrugën e saj drejt BE-së me njëfarë “vetëngushëllimi” për t’u distancuar nga Rusia, por jo për t’u ndarë”.

“Kosova, në anën tjetër, “fiton” kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat serbe”, ka shkruar Pacolli.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të ish-presidentit të Kosovës, Bexhet Pacolli.

Nesër me 27 shkurt, me shumë gjasa do të nënshkruhet dokumenti i famshëm, i njohur sot si dokumenti evropian, ku Kosova do të marrë përsipër obligimin e pashmangshëm për të jetësuar “Zajednicën” në këmbim të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Me fjalë të tjera, situata do të dalë si një vit më parë; Nga kjo marrëveshje do të përfitojë Serbia, por edhe Kosova, dikush më shumë e dikush më pak. Serbia në mënyrë të pashmangshme fiton “Zajednicën” dhe do të sigurojë rrugën e saj drejt BE-së me njëfarë “vetëngushëllimi” për t’u distancuar nga Rusia, por jo për t’u ndarë.

Kosova, në anën tjetër, “fiton” kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat serbe.

Kosova nuk merr njohje nga Serbia, mund të përfiton nga aderimet apo integrimet euroatlantike ku Rusia nuk ka prezencë (ndikim), si liberalizimi i vizave, Këshilli i Evropës etj., dhe ndoshta ndonjë njohje e ndonjë shteti anëtare e BE-së që ende nuk e ka njohur Kosovën.

Marrëveshja në fjalë me Serbinë do të nënshkruhet, ashtu siç do të bënte çdo qeveri para vitit 2021 (ndoshta me më pak trauma). Siç mund ta shihni, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është krejtësisht në kundërshtim me atë që dikur kishte premtuar Kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë.

Sot, edhe pse në kundërshtim me premtimet e tij, ky dokument do të nënshkruhët dhe është mirë që gjërat po shkojnë drejt një perspektive paqësore. Kjo marrëveshje paraqet një hap të madh drejtë zgjidhjës së problemit mê Serbinë. Merita e madhe i takon miqve tanë tradicionalë SHBA-së dhe BE-së, të cilëve populli i Kosovës do t’u jetë përjetësisht mirënjohës.