Çka ndodhi pas vrasjes së Liridona Ademajt, dëshmon vëllai i saj
Zhvillimet që kishin pasuar një prej krimeve më të rënda të viteve të fundit në vendin tonë, i ka treguar nga perspektiva e tij një njeri që një natë nëntori të vitit 2023, mbeti pa motrën e tij. Leonardi, vëlla i Liridona Ademajt, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, kishin shumë dyshime, për shumë […]
Zhvillimet që kishin pasuar një prej krimeve më të rënda të viteve të fundit në vendin tonë, i ka treguar nga perspektiva e tij një njeri që një natë nëntori të vitit 2023, mbeti pa motrën e tij.
Leonardi, vëlla i Liridona Ademajt, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, kishin shumë dyshime, për shumë rrethana.
NË dëshmiën e tij në procesin ku po akuzohen Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plavës, Leonard Ademaj tregoi për takimin e parë me Muselin, një ditë pas vrasjes së motrës së tij.
Takimi u bë në një hotel në Prishtinë.
“Jemi shku në dhomë Naimi ishte rat në krevatin e tij kishte disa sende ushqimore ne tavolin po ashtu kishte porositur dhe dreken nga habia ne mendonin se është i frikësuar dhe kjo është mërxia se ai e vuan i kam thënë Naim a mundemi me shku ne morg me pa liridonën më ka thënë jo nuk na lejohet pas diku 10 minuta e kam thirr vete personalisht spitalin dhe i kam thënë se jam Vllau i Liridonës dhe nëse jane kry procedurat a mundemi me ardh me pa trupin me kane thënë qe po mund të vish, kemi shku në morg me ne erdhi edhe Naimi edhe shoferi i tij, kur shkuam ne morg mjeku aty na tha që nese keni ndonje problem mundeni mos me ardh aty naimi i shfaqi tha kam problem me zemer dhe nuk e di a mundem me pa, djali agjes insistojke me ardh naimi me pa ka ardh deri te dera dhe vetem prej dere ka shiku nuk ka hy brenda.”, tha Leonard Ademaj- Dëshmitar
Ai tutje ka treguar se se si Murseli së bashku me Kokallën, ishin të ftohtë gjatë kohës sa po varrosej Liridona Ademaj.
“Në fakt gjatë varrimit ajo cka binde ne sy ishte qetësia e Naimit së bashku me Kushtrimin po rrinin shumë të ftohtë po ashtu edhe në raport me mediat që ishin prezent pas votrimit familja jonë direkt është kthyer për në shtëpi kur kemi mberri në shtëpi babi na tha që miqasia mes nesh dhe familjes së tyre ka mbaruar këtu sepse si ka mundësi që Naimi ka ik nga vendi i ngjarjes së bashku me femijët ndersa Liridona ka mbet aty nuk ka vonuar fiku gjysme ore dhe e kem pa në gazeta se është arrestuar Granit Plava, pas pak minutash kemi marr vesh edhe per arrestimin e Naim Murselit pastaj edhe për arrestimin e Kushtrim Kokallës për me ishte tronditëse fakti se dyshimet tona vec sa u vërtetuan por mendja nuk na lejojke asesi të besojmë qe ky krim ka ardhur nga vet Naim Murseli”, tha Ademaj.
Ademaj ka folur edhe fëmijët, të cilët tash jetojnë në Suedi, derisa ka treguar edhe për bisedat me ta për ato që kishin parë në ditën kritike.
“Takimi me ta, ishte shumë prekës, pasi që fëmijët në prezencë te psikologëve më treguan, që kanë qenë në veturë, kur u vra Liridona. Fjalët e Diarit, janë këto ‘Hajni e ka fut dorën dhe ia ka ba mamit bam’, po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu përditësimin e të dhënave të tyre, që e marr unë, janë po të këtij lloji. Nga momenti që kanë shkuar në Suedi, asnjëherë nuk kanë kërkuar takim me babin, asnjëherë fëmijët nuk kanë pranuar. Fotot të cilat i dërgojnë familjarët, janë së bashku Naimi me Liridonën, ata e shkëpusin me gërshërë Naimin nga fotoja”, tha Leonard Ademaj- Dëshmitar
Vëllai i Liridonës është ballafaquar edhe me pyetjet e Naim Muselit, i cili e pyeti për motivet që përmenden në aktakuzë.
“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, deklaroi Naim Murseli- I akuzuar.
“Motivin kinse Liridona më ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, jo Prokuroria. Sa i përket sigurimit, ti e di më mirë ku vlen se ja ke bo veç asaj jo vetes. Po ashtu, e di mirë ku i ke thanë babit të vet në shtëpi ‘ia kam maru ni sigurim Liridonës që nesër me i ndodh diçka përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen”, ka deklaruar Leonard Ademaj – Dëshmitar
Liridona Ademaj u vra në fund të nëntorit të vitit 2023, vrasje e cila fillimisht u raportua si grabitje e armatosur e më pas u ngritën dyshime e u ngrit aktakuzë për vrasje të rëndë, ndaj ish-bashkëshortit të saj dhe dy personave të tjerë.
Seanca e radhës, ku pritet të ketë dëshmitarë të tjerë është caktuar për muajin shtator.















