Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu ka thënë se nuk e kupton pyetjen se a ka humbur apo fituar Kosova nga marrëveshja e targave e arritur në Bruksel.

E ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Kryeziu ka thënë se Kosova arriti të rikthente në diskutim çështjen e planit franko-gjerman dhe njohjen e komunave të saj.

“Është një dakordim prej të cilit sigurisht që ne kemi përfituar madje unë nuk e kuptoj se pse na bëhet kjo pyetja a kemi përfituar apo humbëm. Kemi përfituar sepse arritëm që të kthejmë në diskutim çështjen e planit franko-gjerman të cilin Serbia e ka refuzuar qysh herën e parë kur ai është prezantuar nga ana e emisarëve të Francës dhe Gjermanisë. Nuk kanë dashur as të diskutojnë fare për atë plan që ne kemi pasur dakordim se kemi menduar që është një bazë e mirë mbi të cilin mund të dialogojmë pavarësisht asaj që kemi pasur dyshimet tona dhe i kemi prezantuar cilat janë ato dhe kemi kërkuar që mbi ato çështje të ketë mundësi të diskutohet gjatë rrugës”, ka deklaruar Kryeziu.

Krahas kësaj, ajo ka thënë se çka është arritur nga marrëveshja në Bruksel është pranimi i qyteteve siç janë dhe jo siç njihen nga Serbia.

Lidhur me çështjen e libralizimit të vizave, Kryeziu ka thënë se beson që kësaj radhe nuk do të shtyhet data, pasi sipas saj nuk ka arsye që të prolongohet më tutje procesi i liberalizimit të vizave.

“Coreper është vetëm formalitet sepse tashmë çështja mbi liberalizimin e vizave kanë përfunduar në grupin punues dhe në Koreper kalon vetëm për miratim dhe aty nuk ka diskutime mbi këtë çështje më sepse diskutimet janë shterur në grupin punues dhe shtetet i kanë ndarë qëndrimet e tyre. Në Coreper, do të votohet që të shkohet tutje dhe unë besoj që kësaj here nuk ka asnjë arsye të vetme që ky proces të prolongohet më por që aty të votohet dhe të jepe data përfundimtare se kur vendimi për liberalizimin e vizave do të hyjë në fuqi”, ka thënë Kryeziu.

Krahas kësaj, Kryeziu ka theksuar se vendit i duhet afro dymbëdhjetë muaj parapërgatitje deri sa vendimi të hyjë në fuqi.

“Besoj që kur kemi prit për kaq shumë vite, edhe nëse shtyhet pak nuk është asgjë. Sepse besoj që edhe nëse nesër do të na jepet konfirmimi do të na duhen diku 8, 9 apo deri në 12 muaj parapërgatitje deri sa të hyjë në fuqi vendimi. Përafërsisht jemi në kohë rekord në fuqizim të vendimit”, ka theksuar deputetja Kryeziu.

Tutje, e pyetur se a po e kupton Qeveria e Kosovës që duhet të bashkëpunoj me BE-në, kjo e fundit ka thënë se qeveria vazhdon bashkëpunimin me BE-në gjersa, ka theksuar se nesër në rend dite është çështja e liberalizimit.

“Qeveria e Kosovës është duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës ka vazhduar ti mbajë qëndrimet e saja dhe ne nesër e kemi në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave në Koreper. Ne i mbajmë qendrimet tona, qëndrime këto që duhet ti kuptojë dhe po i kupton BE. Besoj nesër çështja e liberalizimit të vizave do të përmbyllet dhe unë besoj që në fillim vitin e 2024 qytetarët tanë të kenë mundësinë të ecin lirshëm ”, ka thënë ajo.

Vendimi për vizat, të mërkurën në rend dite

Deputetja e LVV-së flet për deklaratën e Kurtit se Hovenier kishte më shumë informacione për situatën në Veri

Ndonëse intervista nuk është publikuar akoma, gazetari Martens ka zbuluar disa pjesë të intervistës me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai thekson se Kurti ka thënë se kishte rënë dakord për një kompromis mbi çështjen e targave ngase i njëjti, ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë lidhur me situatën në Veri të Mitrovicës. Për këtë të fundit, gazetari kishte cituar Kurtin duke thënë se Hovenier kishte më shumë njohuri për situatën në veri sesa vet Kurti.

Kryeziu nuk e cilëson ofenduese nëse një informacion do ishte në sasi më të mëdha tek amabsadori Hovenier.

‘Nuk besoj që është ofenduese për organet e sigurisë së Republikës së Kosovës nëse një informacion paska qenë më i shumtë tek ambasadori amerikan dhe paska munguar tek pala jonë sepse, ky informacion do mund të kishte rrjedh edhe nga institucionet tona”, ka deklaruar ajo.

Gjersa ka theksuar besimin e madh të Kurtit ndaj organeve të sigurisë, një gjë të tillë nuk e ka thënë edhe për menagjmentin.

“Nuk besoj se ka kryeministër që u beson më shumë sesa kryeministri Kurti institucioneve tona publike, qoshin ato të sigurisë qofshin të tjera “, ka deklaruar Kryeziu gjersa ka mohuar ekzistencën e ndonjë deklarate nga ana e Kurtit ku nënvlersohen organet e sigurisë.

“Menagjemnti është tjetër gjë sepse ne e dimë se si kanë ardhur një pjesë e menaxhmentit të institucioneve tona dhe po e shohim performancën e tyre dita-ditës”, ka vazhduar ajo.