Çka po ndodh në FFK? Zhvillimet e fundit
Disa nga krerët e skuadrave të Superligës së Kosovës do të takohen sot ndërmjet vete. Temë kryesore e këtij takimi pritet të jetë “moslicensimi i Federatës së Futbollit të Kosovës nga MKRS-ja”. Se ky takim do të mbahet patjetër, për RTV Dukagjinin ka treguar presidenti i Trepçës 89, Abedin Zeka. “Po do të takohemi sot […]
Disa nga krerët e skuadrave të Superligës së Kosovës do të takohen sot ndërmjet vete.
Temë kryesore e këtij takimi pritet të jetë “moslicensimi i Federatës së Futbollit të Kosovës nga MKRS-ja”.
Se ky takim do të mbahet patjetër, për RTV Dukagjinin ka treguar presidenti i Trepçës 89, Abedin Zeka.
“Po do të takohemi sot gjatë ditës për të diskutuar rreth këtyre zhvillimeve të fundit. Gjendja është shqetësuese, sepse nëse FFK-ja nuk licensohet do të jetë e vështirë t’i bindim njerëzit të investojnë në futboll. Një gjë e tillë nuk i konvenon fare futbollit kosovar”, tha ai.
RTV Dukagjini ka kontaktuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të KF Prishtinës, Artan Osmanin i cili dha përgjigje pozitive se bardhekaltrit do të marrin pjesë në takim.
“Sigurisht që po. Njëri nga aksionarët do të marrë pjesë në këtë takim”, tha ai.
Mendim pakëz më ndryshe se parafolësit ka trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
“Për momentin gjendem në Shqipëri, por ne duhet të na ftojë federata, sepse ka kaluar ajo koha kur jemi mbledhur në kafe për të diskutuar. Kjo është temë e rëndësishme, dhe nëse ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim – klubet duhet t’i thërrasë FFK-ja, sepse ai është institucioni, jo ne”, tha Batatina.
RTV Dukagjini po ashtu ka siguruar një dokument ku tregohet se FFK-ja kishte dërguar një listë të mangët me dokumente, kur kishte aplikuar për licensim në muajin shtator.
Një nga kërkesat e ligjit për licensimin e federatave është edhe fakti që kreu i federatës përkatëse duhet të jetë i pastër para ligjit.
I pari i FFK-së, Agim Ademi duhej t’ia dërgonte komisionit certifikatën origjinale nga gjykata që dëshmon se ai nuk është nën hetime, teksa sipas dokumentit të siguruar nga RTV Dukagjini, Ademi ka dërguar certifikatë që e kishte nxjerrë më herët për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për vizë.

“Agim Ademi ka sjellë vërtetim nga gjykata që është nxjerrë në emër të rregullimit të dokumentacionit për vizë, dhe duhet ta sjellë certifikatën unike nga gjykata përkatëse në origjinal”, shkruhet në dokumentin e MKRS-së.
Kujtojmë, se ditë më parë RTV Dukagjini raportoi se FFK-ja ende nuk është licensuar nga MKRS për vitin 2023.
Agim Ademi ishte zgjedhur kryetar i kësaj Federate në kuvendin zgjedhor të FFK-së të mbajtur më 6 prill, teksa prania e mediave nuk ka qenë e lejuar.















