Prifest – Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Prishtinë këtë vit do të organizojë edicionin e tij të 14-të përgjatë datave 20-25 shtator 2022. Nga ky vit në “PriFest” çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbaj emrin e regjisores Vjosa Berisha.

Vjosa Berisha, një ikonë e çmuar e Prishtinës u shua në qershor të këtij viti. Ajo la gjurmë të mëdha në fushën e filmit e artit dhe pikërisht për këtë festivali PriFest, ka vendosur që këtë festival sivjet t’ja kushtoj asaj me slloganin “For her” – “Për të”.

Regjisori Fatos Berisha, njëherëresh edhe bashkëshorti i së ndjerës, në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini me Edita Dolin, tregoi se i gjithë organizmi i këtij eventi ka qenë shumë i vështirë pa Vjosën.

“Vjosa i ka udhëhequr të gjitha punët, ajo nuk ka qenë vetëm drejtoreshë në letra, por i ka kryer të gjitha punët. Në fillim më është dukur e pamundur, sepse ende mendoj se Vjosa është e pazëvendësueshme, por jemi mbledhur një grup i madh, kolegë, shokë e shoqe e dashamirë dhe ja arritëm disi që sot të bëjmë hapjen e festivalit ashtu siç kishte dashur vetë Vjosa”

Berisha tregoi se këtë vit, në kujtim të themelueses së vet festivalit, ish drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha, çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe”, do të mbajë emrin “Vjosa Berisha”.

Ai poashtu njoftoi se “PriFest”, ka shpalosur pothuajse të gjitha kategoritë e filmave të cilët do të shfaqen nga 20 deri më 25 Shtator.
Po ashtu, Berisha njoftoi se festivali ka ndryshuar edhe moton e përgjithshme të festivalit që ishte që nga edicioni i dytë, nga Friendship Forever PriFest, në: Vjosa. Forever. PriFest.

Prifest është festivali më i madh i filmit ndërkombëtar në Kosovë dhe si i tillë do të mbledhë filmbërës nga vendi, rajoni dhe bota.

Vjosa Berisha vdiq më 23 qershor. Ajo ishte njëra nga producentet shqiptare më të njohura dhe të suksesshme, e cila verën e vitit 2021 tregoi se fati e ka vënë përballë një sfide, ku në muajin mars të vitit 2021 ishte diagnostikuar me kancer në vezore.