Çmimin Nobel për Ekonomi e fitojnë tre amerikanë
Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha Ben S. Bernanke, ish-kryetar i Rezervës Federale si dhe dy akademikëve të tjerë, Douglas W. Diamond, një ekonomist në Universitetin e Chicago dhe Philip H. Dybvig, po ashtu ekonomist në Universitetin e Washington-it në St.Louis. Të tre ekonomistët amerikanë janë të njohur për hulumtime lidhur me krizat bankare dhe […]






Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha Ben S. Bernanke, ish-kryetar i Rezervës Federale si dhe dy akademikëve të tjerë, Douglas W. Diamond, një ekonomist në Universitetin e Chicago dhe Philip H. Dybvig, po ashtu ekonomist në Universitetin e Washington-it në St.Louis.
Të tre ekonomistët amerikanë janë të njohur për hulumtime lidhur me krizat bankare dhe financiare.
Bernanke që aktualisht punon në institucionin “Brookings” në Washington, më 1983 shkroi një punim që hapi terren duke shpjeguar se dështimet e bankave mund të përhapin një krizë financiare dhe jo thjesht të jenë rezultat i krizës.

Diamond dhe Dybvig në të njëjtin vit shkruan një punim mbi procesin e shndërrimit të huamarrjes afatshkurtër në huadhënie afatgjatë.
Diamond shkroi gjithashtu për mënyrën se si bankat monitorojnë huamarrësit e tyre, duke vënë në dukje se njohuritë për huamarrësit zhduken pas dështimeve të bankave duke zgjeruar pasojat e trazirave.
Diamond kur foli për çmimin, i pyetur nëse ai kishte ndonjë paralajmërim për bankat dhe qeveritë sot, në një kohë kur tregjet janë në trazira ndërsa bankat qendrore në mbarë botën rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin e shpejtë, tha se krizat financiare përkeqësohen kur njerëzit fillojnë të humbasin besimin në stabilitetin e sistemit.
“Në periudhat kur gjërat ndodhin papritur – si p.sh., unë mendoj se shumë njerëz janë të befasuar se sa me shpejtësi janë rritur normat nominale të interesit në mbarë botën – kjo mund të jetë diçka që shkakton frikë në sistem”, ka thënë ai, raporton New York Times.
Çmimi i ekonomisë, ndër nderimet më të larta në këtë fushë, teknikisht nuk është një çmim Nobel, por titullohet Çmimi Sveriges Riksbank në Shkenca Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit, sepse nuk ishte ndër kategoritë origjinale që Alfred Nobel përcaktoi në testamentin e tij më 1895.
Ai financohet nga banka qendrore e Suedisë dhe është dhënë vetëm që nga viti 1969, megjithëse komiteti i Nobelit e promovon dhe e rendit në faqen e tij të internetit.





















