Ç’na tregon telendisja e opozites?

Pamje nga Kuvendi i Shqipërisë derisa votohet projektbuxheti për vitin 2024, deputetët opozitarë vënë flakadan dhe tym si shenjë proteste ndaj mazhorancës. Nëntor 2023

Në tre dekada pluralizëm, opozita nuk ka qenë ndonjëherë më e dobët se sot. Sali Berisha dhe deputetët e tij nuk e ndaluan dot një seancë surrogate që miratoi në mënyrë të turpshme, në vetëm 5 minuta, 7 miliardët e buxhetit për vitin e ardhshëm. Ndonëse e mbushën sallën e kuvendit me tym, ndonëse mjediset e parlamentit ngjanin me ato të bodrumeve të spitaleve në Gaza, asgjë nuk e pengoi shumicën socialiste të qonte përpara agjendën e saj. Të njëjtat skena përsëriten që prej mesit të tetorit, kur dy grupimet, ai i Foltores dhe ai i Gaz Bardhit, u bashkuan për të mos pranuar nënshtrimin e minorancës ndaj akteve të paligjshme.

Por, ndonëse ky aksion tenton të krijojë një vijë ndarëse me autoritarizmin dhe përmbysjen e pluralizmit, ai ka dështuar të bëhet një barrikadë ndaj tyre. Tashmë opozita nuk ka më këllqe të nxjerrë njerëz në rrugë për protesta të fuqishme. Ajo nuk shfrytëzon dot asnjë mekanizëm parlamentar që garanton të drejtat e saj.

Ajo nuk zgjon dot më vëmendjen e asnjë ambasadori, që të bëjë thirrje për normalizim të skenës politike. Ajo nuk ankohet dot në gjykatat e reformës së re në drejtësi, e sidomos në atë Kushtetuese, të stërmbushur me juristë të tedhur moralisht e politikisht. Sipas propagandës së pushtetit, kjo po ndodh pasi në krye të saj kanë mbetur dy personazhe të së shkuarës, si non grata Sali dhe Like Floriri.

Sipas tyre, interesi personal i të dyve po bëhet shkak për humbjen e besueshmërisë së kauzave opozitare dhe për indiferencën e faktorëve të tretë ndaj artikulimit të tyre. Ndonëse këto pretendime, që përsëriten vazhdimisht nga daullexhinjtë e pushtetit, nuk janë krejtësisht të gënjeshtërta, e vërteta e plotë është krejt e ndryshme.

Opozitës në këtë vend i është vënë shkelmi në fyt. Për të vërtetuar këtë nuk mjafton të përmendësh vetëm historinë e përsëritur, se partia më e madhe mbahet prej dy vjetësh në kushte ilegaliteti, pa vulë, firmë, mundësi reale përfaqësimi në zgjedhje, financim publik etj. Kësaj mund ti shtohet, pa frikë, shkallmimi që iu bë ish LSI-së, duke i rekrutuar prej pushtetit, jo vetëm deputetët, ish kryebashkiakët, ish drejtorët, por edhe pjesën më të madhe të drejtuesve në provincë.

Në këtë panoramë mund të vendoset edhe pompimi butaforik ndaj Bashës dhe një gjysmë duzine deputetësh qesharakë që i shkojnë atij nga pas si përfaqësues të opozitës zyrtare.

Por ka edhe më. Mediave që s’pranojnë të vazhdojnë të përkëdhelin qeverinë, por reken ta cimbisin nga pak, i vihet menjëherë tritol dhe u sekuestrohen pasuritë e pronarëve. Atyre që guxojnë të publikojnë skandale, u vërsulet qenëria e SPAK, për tu kontrolluar zyrat dhe përgjuar kompjuterët e celularët.

Sali Berisha që dikur kërcënonte qeveritë, se i përmbyste me demokratët e Mamurrasit apo Laçit, tani rrëzohet në mes të Tiranës nga grushti i një kontingjenti të policisë, sikur kjo të qe një ngjarje e zakonshme kronike.

Ky episod i fundit dëshmon shumë edhe për transformimin që ka ndodhur, jo vetëm në arenën e dukshme të politikës, por edhe në botën e nëndheshme.

Faza e atij që Fatos Lubonja, e ka emërtuar si pluralizmi oligarkik i tre bandave, ku përpos përfaqësimit në kuvend, partitë e mëdha kishin nga pas edhe oligarkët e tyre edhe lidhjet me botën e nëndheshme, ka përfunduar pas viteve 2017-2019. Nga pluralizmi oligarkik kemi degraduar drejt monizmit, ku tashmë Edi Rama kontrollon jo vetëm arenën politike por edhe mediat edhe oligarkët edhe kriminalitetin edhe drejtësinë me një miratim herë të heshtur e herë konsensual të ndërkombëtarëve.

Në sisteme të tilla, jo vetëm opozita e Sali non gratës dhe Like Floririt, por edhe ajo e kryesuar hipotetikisht nga çmime nobel për paqe, do e kishte të vështirë të ngrinte kokë. Kur demokracisë i vihet dryni, të debatosh për forcën apo dobësinë e opozitës është njësoj si në mesjetën e shën Toma d’Akuinit, të ziheshe për seksin e engjëjve.

Shpjegimi/ Thelbi i sherrit se pse shpërtheu flaka në parlament 

Pikërisht për këtë, dobësia e opozitës, disfatat e saj elektorale, pafuqia për të mobilizuar rrugën, pamundësia për të frenuar krimin parlamentar, nuk është një e keqe në vetvete, që lidhet vetëm me arsyet e saj të brendshme.

Ajo është simptoma më e dukshme e një sëmundjeje më të thellë. Ajo është produkt i një shoqërie të palirë që po atrofizohet dita ditës.

Kush flet vetëm për telendisjen e PD apo PL, sillet si një infermier që, mjaftohet duke i vënë termometrin një trupi që lëngon, pa dashur të kuptojë shkaqet e të keqes brenda tij. Pasi problemi i madh nuk është se po i shkelen të drejtat Berishës apo Metës, për të cilët mund të thuhet me lehtësi “mirë iu ‘a bëfshin, e kanë merituar”.

Thelbi i çështjes qëndron në faktin se prej kohësh, në Shqipëri po shkelen dhe nëpërkëmben aspiratat e një mase të stërmadhe njerëzish, nga 600 deri në 700 mijë, që votojnë dhe shprehen hapur kundër politikave të Edi Ramës. Prej kohësh kjo politikë ka krijuar një ndarje, aparteid (jo racor) politik në mjedisin shqiptar. Kjo masë që mendon ndryshe është zhveshur nga çdo e drejtë.

Prandaj kur shohim opozitën të humbasë, të shpërfillet, të mundet, të gjunjëzohet, neve s’kemi pse qajmë vetëm hallin e saj, por mbi të gjitha atë tonin, si pjesëtarë të një shoqërie, së cilës i kanë vënë thonjtë në fyt për të mbytur një demokraci në gërhimat e fundit./ Lapsi.al

Të fundit nga rubrika