Copëza kujtimesh nga 9/11 në Pejë
Në shenjë solidarizimi, 11 shtatori i vitit 2001 nga sot e tutje ka një shenjë edhe në Kosovë, në qytetin e Pejës. Pranë Lumëbardhit të kësaj komune u bë inaugurimi i memorialit të një copëze hekuri që ditën e shtunë iu dorëzua donatorit të kompanisë “Elsa Group” dhe familjes së tij. Jashtëzakonisht i lumtur për […]
Në shenjë solidarizimi, 11 shtatori i vitit 2001 nga sot e tutje ka një shenjë edhe në Kosovë, në qytetin e Pejës.
Pranë Lumëbardhit të kësaj komune u bë inaugurimi i memorialit të një copëze hekuri që ditën e shtunë iu dorëzua donatorit të kompanisë “Elsa Group” dhe familjes së tij.
Jashtëzakonisht i lumtur për sjelljen e memorialit të parë të tillë në Evropën Juglindore është shprehur Arbër Asllani, i “Rotary Club Peja”, që mundësuan realizimin e projektit.
“Ky është memoriali i parë i këtij lloji që përfshin një pjesë metalike nga Kullat Binjake të New York në Evropën Juglindore”, ka thënë Arbër Asllani nga “Rotary Club Peja”.

Përfaqësuesi i ambasadës amerikane, Colonel Darrick Mosley është mirënjohës për iniciativën dhe punën e bërë.
“Këtu në Pejë të gjithë banorët dhe vizitorët mund të vijnë dhe vizitojnë këtë memorial duke kujtuar mundin e tyre dhe të gjithëve që kanë qenë të prekur. Gjithashtu, shumë do ta kujtojnë 11 shtatorin si një vepër e shërbimit ndaj popullit që na mbledh të gjithëve së bashku”, ka thënë Darrick Mosley nga Ambasada e Amerikës.

Këtë ditë me emocione e kujton edhe Ibrahim Selimaj, pronar i “Elsa Group”.
“Në atë ditë fatkeqe, gjetën vdekjen rreth 3 mijë persona të pafajshëm nga mbarë globi, posaçërisht të miqve tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ibrahim Selimaj – Pronar i “Elsa Group”.
“Pikërisht në këtë ditë kam një emocion, sepse po atë ditë edhe biri im ishte afër Kullave Binjake në një kilometër largësi dhe dy ditë nuk e dinim se ku gjendet”, ka rrëfyer Ibrahim Selimaj – Pronar i “Elsa Group”.

Ndërsa, i pari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se memoriali është respekti më i vogël që mund të bëjnë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo është një shenje e vogël respekti nga qyteti Pejës dhe organizata “Rotary Club Peja”, për miqtë tonë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një kujtim që do t’u shërbejë qytetarëve të Pejës që të kujtojnë çdo herë 11 shtatorin e vitit 2001” ka përfunduar Gazmend Muhaxheri – kryetar i Pejës.

Eventi i inaugurimit ka vazhduar në hotel ” Dukagjini”, ku kontribuuesit e projektit u shpërblyen me mirënjohje për punën e bërë.















