Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, gjatë takimit me homologun e tij grek Nikolas Dendisa, ka thënë se sipas informacioneve që disponon, Çekia si kryesuese e Bashkimit Evropian(BE) do ta procedojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, por vetëm do t’i informojë shtetet anëtare se e ka pranuar kërkesën e Kosovës.

“Republika Çeke e ka pranuar aplikacionin dhe sipas njoftimeve, në seancën që duhet të mbahet këtë javë, ata vetëm do të informojnë se e kanë pranuar aplikacionin dhe nuk do ta vendosin më tej në procedurë”, ka theksuar Daçiq.

Më tutje, Daçiqi ka treguar se nga 1 janari i vitit 2023, Suedia do të jetë pasuese e Çekisë pasi ajo do ta merr presidencën e BE-së.

“Vendimet e tilla merren me konsensus, i cili aktualisht nuk ekziston sepse pesë anëtarë të BE-së, përfshirë Greqinë, nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa Hungaria, pavarësisht se e ka njohur Kosovën, nuk e voton Kosovën në forumet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Ndërkoh ministri i Jashtme serb e ka komentuar edhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës(KiE), ku ka thënë se shqyrtimi i kërkesës është shtyrë dhe sipas tij Serbinë në vitin e ardhshme e pret një luftë e vështirë diplomatike.

“Irlanda nuk donte ta përfundonte atë punë gjatë mandatit të saj. Tani është radha e Islandës … Duke qenë se Islanda po mban një Samit të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, nuk është në interesin e tyre të nxisin probleme të ndryshme”, ka theksuar ai.

“Është në interesin e tyre që të arrihet një marrëveshje. Prandaj, presim që kjo temë ndoshta të mos jetë kaq shpejt në agjendë”, ka përfunduar Daçiq.