Daçiq eskalon pas pyetjes së gazetarit bullgar, përmend njohjen e Kosovës nga Bullgaria: Unë kam lindur atje, edhe mbreti Millutin

Ish-kreu i diplomacisë serbe, tashmë ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka shpërthyer në një konferencë për media në Bullgari pas pyetjes që i është bërë nga një gazetar bullgar rreth akuzave të Parlamentit Evropian në drejtim të Serbisë se Beogradi zyrtar po përpiqet të shkatërrojë integritetin e vendeve të tjera, shkruan Express.

“Z. Daçiç, më lejoni një pyetje, meqenëse nuk e dimë se kur do të jeni përsëri në Bullgari. Ju flisni për miqësi, për bashkëpunim dypalësh, i cili është i shkëlqyer dhe duhet të jetë. Megjithatë, Parlamenti Evropian ju akuzon se po përpiqeni të shkatërroni integritetin e vendeve të tjera. A mund të na tregoni se cila është fytyra e vërtetë e politikës serbe?”, ka pyetur gazetari bullgar.

Daçiq është përgjigjur me nervozizëm, duke përmendur faktin se Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Politikani serb tutje ka thënë se ka lindur në Kosovë, derisa ka pretenduar se edhe mbreti Millutin është nga Kosova.

“ Si nuk është turp që dikush të flasë për atë se kush e shkeli integritetin territorial të Serbisë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur? Epo, unë kam lindur në Kosovë, kryeqyteti i parë i Serbisë ishte në Kosovë, në Prizren. Mbreti Milutin, i cili prehet në Sofje, është gjithashtu nga Kosova”, ka thënë Daçiq, raporton “Blic”-i serb, trasnmeton Express.

Daçiq është marrë edhe me Parlamentin Evropian, duke thënë se ata duhet të miratojnë një Rezolutë “që dënon njohjen e Kosovës” dhe pastaj t’iu japin mësim të tjerëve.

“Sa i përket Parlamentit Evropian, nëse qëllimi i Bashkimit Evropian është të shkelë integritetin territorial të Serbisë dhe nëse ky është një kusht, ata së pari duhet të miratojnë një Rezolutë që dënon njohjen e Kosovës, dhe pastaj t’u japin mësime të tjerëve”, ka shtuar tutje ai.

Të fundit nga rubrika