Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe njëkohësisht lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, theksoi se mbrojtja e Republikës Serbe është një ndër prioritetet kyçe kombëtare të Serbisë, dhe se një sulm ndaj Banjallukës përbën sulm ndaj Serbisë.

– Republika Serbe është interesi ynë kombëtar numër një. E dini, nëse (presidenti turk Recep Tayyip) Erdogan mund të thotë se sulmi ndaj Sarajevës është sulm ndaj Turqisë, atëherë edhe ne mund të themi se sulmi ndaj Banjallukës është sulm ndaj Serbisë – deklaroi Daçiq gjatë një interviste në televizionin Prva, duke folur për politikën e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), të cilën ai e udhëheq.

Daçiq tha se SPS-i mbetet i palëkundur në “mbrojtjen e Kosovës dhe të Republikës Serbe” dhe se këto janë shtyllat kryesore të veprimit të socialistëve. – Ne jemi rojtarët e Serbisë. Kjo është baza mbi të cilën kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë politikën tonë edhe në të ardhmen – tha Daçiq, duke shtuar se entiteti në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Serbe, “është krijuar me gjakun e popullit serb”, e jo përmes ndonjë marrëveshjeje të fuqive të mëdha apo “ndonjë marrëveshjeje të Versajës”.

Daçiq u ndal edhe te politika e jashtme e Serbisë, duke thënë se Beogradi nuk duhet të heqë dorë nga miqësitë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa në të njëjtën kohë refuzon vartësinë e plotë nga Perëndimi.

– Ne asnjëherë nuk e kemi harruar gjuhën ruse, ndërkohë që disa tani po e mësojnë përsëri. E njëjta gjë vlen edhe për kinezët. Ata janë aleatët dhe miqtë tanë të përjetshëm – tha lideri i SPS-it.